Si do funksionojë garancia sovrane për fasonët? – “Mbulon rreth 70% marrjen e kredive nga sistemi bankar”
Këshilli Ekonomik Kombëtar ka diskutuar disa nga shqetësimet më aktuale që ka ekonomia dhe biznesi, si nevoja për fuqi punëtore të kualifikuar në sektorin e turizmit, mbështetjen e industrisë me material porositësi për të përballuar goditjet e kursit të këmbimit si dhe rritjen e pagave në sektorin publik. Në tryezën e diskutimit me sipërmarrjet, Kryeministri Edi Rama theksoi se nevojitet një plan i mirëmenduar për aftësimin profesional të të rinjve.
Ndërsa Ministri i Financave, Ervin Mete ka bërë me dije iniciativat që po ndërmerren në ndihmë të biznesit, duke dhënë detaje se si do të funksionojë garancia sovrane prej 4 miliardë lekësh për sektorin fason.
” Po veçoj instrumentin e Garancisë Sovrane që kaluam së fundmi me aktin normativ për sektorin e industrisë përpunuese që lindi nga një kërkesë në një takim të ngjashëm dhe u procesua në një kohë të shpejtë. Presim ta kalojmë në qeveri javën tjetër për të përcaktuar detajet, detaje që do të jenë ndoshta edhe më pozitive se sa kanë qenë garancitë sovrane në kohën e pandemisë. Po flasim për një garanci që mbulon rreth 70% marrjen e kredive nga sistemi bankar, për një marzh 1.5 apo 2%, për një “grace period” rreth 9 muaj dhe që besojmë që, qoftë për pjesën e investimeve, qoftë për pjesën e lëndës së parë që ka pasur nevojë sektori, do të jetë ndihmuese. Ashtu siç ka nevojë që të njëjtat mekanizma të ndarjes së riskut ne t’i zgjerojmë në sektorin e kreditimit dhe financimit, dhe siç ka nevojë të bëjmë dhe një sërë ndërhyrjesh të tjera qofshin dhe në diversifikimin e kolateralit apo marrjen e masave rregullative me qëllim nxitjen e kreditimit, pasur parasysh edhe momentin në të cilin jemi”.
Nga ana tjetër, Ministri Mete theksoi seka pasur një diskutim të thelluar me Guvernatorin dhe Bankën e Shqipërisë, me të cilin së shpejti pritet të lançohet një plan i përbashkët për nxitjen e kreditimit, me qëllim që të merren masa për nxitjen e kreditimit.
Elisabeta Dosku/ SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.