Si do të përmirësohet shërbimi ndaj turistëve? – Strategjia, do të rritet numrin e nxënësve në shkollat profesionale
Hamit Yzeiraj/SCAN
Mund të ngelen të kënaqur nga bukuritë natyrore, plazhet magjepsëse që ofron riviera shqiptare, si dhe nga monumentet historike. Megjithatë, kur bie fjala për cilësinë e shërbimeve që turistët përjetojnë në baret dhe restorantet kryesore në jug të vendit, të mirat e përmendura më sipër përballen me komente jo shumë pozitive nga ana e vizitorëve të huaj.
Kjo mbështetet gjithashtu nga vlerësimet që këta vizitorë japin për eksperiencën e tyre në vendet ku kanë konsumuar ushqim përmes platformës Booking. Pjesa më e madhe e komenteve ishin pozitive, por disa prej tyre shpreheshin të pakënaqur me mënyrën se si stafi, kryesisht ai i bareve dhe restoranteve, i trajtonte klientët e tyre.
Si rezultat i kësaj, në draftin e Strategjisë Kombëtare të Turizmit, qeveria ka parashikuar që për të ofruar një shërbim më të mirë ndaj turistëve të huaj, të investohet më shumë në rritjen e numrit të nxënësve dhe studentëve në arsimin profesional.Për sa i përket numrit të nxënësve në shkollat profesionale të vendit, qeveria ka planifikuar që ta dyfishojë atë deri në vitin 2030.
Ndërkohë, për numrin e studentëve në institucionet e arsimit të lartë në degët e hoteleri-turizmit, synohet gjithashtu dyfishimi i tyre. Këto masa janë thelbësore për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve dhe për të përmbushur pritshmëritë e vizitorëve.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.