Stalla e derrave në Kinë, 26 kate – Qiellgërvishtësja e lartë sa Big Ben, më e madhja në botë
Më pak se një orë larg me automjet nga Wuhan, zona nga ku nisi dhe epidemia e Covid 19, në provincën e Hubei, në Kinën qendrore, gjendet qiellgërvishtësja e derrave. Një lloj hoteli 26 katësh në gjendje të prodhojë 600 mijë derra në vit – për vitin tjetër priten 1.2 milionë. Me pak fjalë bëhet fjalë për një stallë gjigante, më e madhja në botë, e ndërtuar për të pëballuar kërkesën për mish derri. Sipas të dhënave të publikuara nga New York Times, në fakt, Kina konsumon gjysmën e sasisë së mishit të derrit në botë.
I inauguruar vitin e kaluar në qytetin kinez të Ezhou, kompleksi i madh po dyfishohet, me objektivin e realizimit të një projekti ambicioz të dy ndërtesave 26 katëshe duke plotësuar dhe kushtin për zero emetime. Ndër të tjera, sipas deklaratave të pronarëve të ndërtesës, e projektuar për prodhimin e mishit të derrit, janë instaluar sisteme për asgjësimin e mbetjeve dhe transformimin e tyre në energji.
Ndërtesa e madhe është e lartë sa kulla londineze që mban Big Ben dhe është vendosur nën vëzhgim njësoj si të ishte një qendër komando e NASA-s. Cdo kat është një fabrikë e pavarur dhe është në gjendje të garamntojë fazat e ndryshme të jetës së një derri: nga lindja te ushqyerja me qumësht e deri tek shëndoshja. Ushqimi transportohet me një shirit deri në katin e sipërm, ku mblidhet në enë gjigante që dorëzojnë më shumë se 450 mijë kilogramë në ditë mnëpërmjet grazhdeve të teknologjisë së lartë që shpërndajnë automatikisht vaktet për derrat në bazë të fazës së tyre të jetës, peshës dhe shëndetit.
Një model që po realizohet në të gjithë vendin. Kjo sepse sipas vlerësimeve zyrtare, kërkesa për mish derri në Kinë pritet të shtohet duke arritur në 60 milion ton në dekadën e ardhshme.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.