Të punësuar, por pa kontrata pune! – Afro 3 mijë punonjës “pa të drejta”, një pjesë e konsidershme janë gra
Në mbi 10 mijë subjekte private dhe shtetërore të kontrolluara nga Inspektorati Shtetëror i Punës për vitin 2022, janë evidentuar 2,946 punëmarrës pa kontrata individuale, duke bërë që subjektet të jenë tërësisht në shkelje të Kodit të Punës.
Referuar të dhënave zyrtare nga Inspektorati i Punës, krahasuar me një vit më parë, rezultojnë 46.7% më shumë punëmarrës të konstatuar pa kontrata. Nga numri total i punonjësve të cilët nuk kanë një marrëveshje pune të shkruar me punëdhënësin, 1,202 prej tyre janë femra, apo 40.8 për qind.
Më problematike në këtë drejtim rezultojnë drejtoritë rajonale Tiranë, Korçë dhe Shkodër. Referuar të dhënave, sa i takon punëmarrësve pa kontrata individuale pune vetëm në subjekte private sipas llojit të aktiviteteve ekonomike, numri më i madh evidentohet në llojin e aktivitetit: Financë Shërbime me 6.8% ; Tregti Hotel-Bar-Restorante me 3.1%, Ndërtim me 2.6 %.
Mungesa e një kontrate me punëdhënësin e bën të pasigurt vendin e punës dhe nuk u jep mundësi punonjësve që të kërkojnë të drejtën e tyre në rastin e pushimit nga puna, të përfitimit të ditëve të pushimeve të paguara apo të pagesës së orëve jashtë orarit zyrtar.
Po ashtu janë evidentuar 1799 punëmarrës informal ku gjatë procesit të inspektimit janë siguruar 1785 prej tyre, nëpërmjet masës urgjente “pezullim” të aktivitetit deri në sigurimin e tyre. Nga totali i punonjësve informal, 52 % janë punëmarrëse femra. Inspektorati Shtetëror i Punë ka inspektuar gjatë vitit që lamë pas afro 212 mijë vende pune.
Elisabeta Dosku/ SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.