Tender për makinat elektrike – 83.3 mln lekë për instalimin e karikuesve në disa qytete e pika kufitare
Agjencia për Eficiencën e Energjisë do të nisë instalimin e karikuesve për makinat elektrike, në disa qytete e pika kufitare. Ky dikaster parashikon të hapë së shpejti një tender me vlerë 83.3 mln lekë, për pajisjen me infrastrukturën e domosdoshme për këtë kategori automjetesh.
E njëjta procedurë u hap edhe në muajin qershor të këtij viti, por ajo u anulua për shkak të rrethanave të ndryshimit të aftësisë paguese të autoritetit kontraktor. Referuar procedurës së mëparshme, karikuesit parashikohej të vendoseshin në qytetet e Sarandës, Vlorës, Korçës, Durrësit dhe Elbasanit, si dhe në pikat kufitare të Hanit të Hotit, Kakavijës, Durrësit dhe Vlorës.
Në dokumentet e tenderit specifikohej se një nga objektivët kryesorë është reduktimi i shkarkimeve të CO2 si dhe ndikimet në mjedis. Kjo, duke marrë në konsideratë se sektori i transportit është edhe ndotësi më i madh dhe burimi i prodhimit të gazrave me efekt serë.
Gjithashtu, ky sektor është konsumatori më i madh në Shqipëri për konsumin e energjisë krahasuar me kërkesën totale finale për energji, duke shkuar në 40.5% të saj. Ndërkohë që, mbështetur në Planin Kombëtar të Veprimit për Energjinë dhe Klimën në lidhje me sektorin e transportit vendi ynë ka si detyrim uljen e konsumit të karburanteve fosile si dhe ndotjes së ambjentit që vjen prej tij. Për këtë qëllim objektivi i qeverisë shqiptare është instalimi i 200 deri 300 stacione karikimi deri në vitin 2025 në të gjithë vendin.
Ola Mitre/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.