Thatësira “gjunjëzon” ekonominë europiane – Probleme me prodhimet bujqësore, transportin, energjinë dhe zjarret
Europa po përjeton thatësirën e saj më të madhe në të paktën 500 vjet, me pothuajse dy të tretat e kontinentit në gjendje alarmi, tha së fundmi një agjenci e Bashkimit Europian. Në raportin e tij analitik të gushtit, Observatori Europian i Thatësirës tha se rreth 47% e Europës është në gjendje kritike për shkak të mungesës së madhe të lagështisë së tokës, ndërsa 17 për qind e vendeve janë në gjendje alarmi.
Thatësira ka shkaktuar probleme në prodhimet bujqësore me rendimentet e misrit dhe grurit që janë 16% nën mesataren e pesë viteve të mëparshme dhe rendimentet e sojës dhe lulediellit përkatësisht 15% dhe 12% më pak. Shoqata Gjermane e Fermerëve tha se të korrat e Gjermanisë mund të reduktohen me 30 ose 40% në rast të një thatësire të zgjatur. Sipas të dhënave nga shoqata italiane e fermerëve të vegjël dhe të mesëm, thatësira do të tkurrë rreth 30% të korrat e orizit në Itali dhe gati një të tretën e prodhimit të frutave dhe perimeve.
Nivelet e ulëta të ujit kanë penguar transportin në brendësi të lumit Ren dhe më gjerë, me ngarkesat e reduktuara të transportit që ndikojnë në transportin e qymyrit dhe naftës. Anijet në Ren mund të funksionojnë vetëm me rreth 25% kapacitet. Danubi në Tulcea të Rumanisë ka një nivel uji prej vetëm 51 centimetrash, ndërsa standardi minimal për lundrim të sigurt është 57 centimetra. Lumi Po, lumi më i gjatë i Italisë, së fundmi ra në nivelin më të ulët në 70 vjet.
Thatësira ka ndikuar edhe në energjetikë, ku prodhimi i hidrocentraleve në Europë në 7 muajt e parë të këtij viti ishte 20% më i ulët se e njëjta periudhë e vitit të kaluar dhe prodhimi i energjisë bërthamore ishte 12% më i ulët.
Ndërkohë gjatë këtij viti janë shtuar edhe zjarret. Sipas Sistemit Europian të Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS), nga janari deri në mes të gushtit, më shumë se 740,000 hektarë pyje në Bashkimin Europian janë djegur, një rekord i lartë për të njëjtën periudhë që nga fillimi i regjistrimeve në 2006.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.