Tregjet presin inflacionin në SHBA – Çmimet parashikohet të kenë arritur kulmin, nis tendenca në rënie
Tregjet europiane janë hapur me ndryshime të vogla në sesionin e sotëm, pasi investitorët janë në pritje të inflacionit në SHBA për muajin gusht.
Raporti do të jetë vendimtar në politikat monetare që do të ndjekë Rezerva Federale në takimin e javës së ardhshme. Shumica e analistëve parahsikojnë edhe një tjetër rritje të normës bazë me 0.75 pikë përqindje, për të luftuar inflacionin e lartë.
Shefi i Rezervës Federale, Jerome Powell deklaroi javën e kaluar se është “fuqimisht i vendosur” për të ulur inflacionin brenda objektivit. Indeksi pan-Europian STOXX 600 është hapur në rritje të lehtë me 0.2%, ndërsa sektori i shërbimeve dhe ai i pasurive të paluajtshme realizojnë fitimet më të mëdha.
Gjithashtu, tregjet po presin edhe të dhënat mbi papunësinë dhe prodhimin e Brendshëm Bruto në Eurozonë për tremujorin e dytë të vitit. Në fokus të investitorëve është edhe politika monetare e Bankës Qendrore Europiane.
Ditët e fundit, politikëbërësit monetare janë shprehur pro rritjes së interesave në mënyrë agresive dhe deri në fund të këtij viti, norma bazë të interesit mund të shkojë deri në 2%.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.