Tregu i tretë më i madh i konsumit deri në 2027 – Shpenzimet e familjeve në Indi pritet të rriten me 29%
India pritet të bëhet tregu i tretë më i madh i konsumit në botë deri në vitin 2027, pasi numri i familjeve me të ardhura të mesme dhe të larta rritet, sipas një raporti nga BMI, një njësi e ‘Fitch Solutions’. Vendi aktualisht renditet i pesti, por ‘Fitch Solutions’ parashikon që një rritje prej 29% në shpenzimet reale të familjeve do ta shtyjë Indinë të ngjitet me dy vende.
Në fakt, raporti parashikon që rritja e shpenzimeve familjare për frymë të Indisë do të tejkalojë atë të ekonomive të tjera aziatike në zhvillim si Indonezia , Filipinet dhe Tajlanda me 7.8% nga viti në vit.
BMI vlerëson se shpenzimet e familjeve indiane do të kalojnë 3 trilion dollarë si të ardhura të disponueshme dhe do të rriten me 14.6% në vit deri në vitin 2027. Deri atëherë, 25.8% e familjeve indiane pritet të kenë 10 mijë dollarë të ardhura vjetore të disponueshme. Shumica e këtyre familjeve do të vendosen në qendra financiare si Nju Delhi, Mumbai dhe Bangalore ndërsa familjet më të pasura do të vendosen kryesisht në zonat urbane.
Popullsia e të rinjve të Indisë, e cila është e madhe në numër, është gjithashtu një forcë shtytëse për rritjen e shpenzimeve konsumatore. Veçanërisht, rreth 33% e popullsisë së vendit vlerësohet të jetë midis moshës 20 dhe 33 vjeç dhe BMI pret që ky grup të shpenzojë shumë në pajisjet elektronike. Urbanizimi i vazhdueshëm i vendit do të ndihmojë gjithashtu në rritjen e shpenzimeve konsumatore, pasi kompanitë mund të arrijnë më lehtë te konsumatorët dhe të hapin më shumë dyqane për t’i shërbyer atyre.
Kujtohet se në prill Apple hapi dy dyqane në Nju Delhi dhe Mumbai, ndërsa Samsung njoftoi në të njëjtin muaj se do të ngrejë 15 dyqane premium në të gjithë Indinë deri në fund të vitit në qytete të mëdha si Nju Delhi.
Dorina Kurtaj /SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.