Ulen çmimet e karburanteve – Më në fund, kompanitë reflektojnë mbiçmimin e lekut dhe ecurinë e bursave
Kompanitë që tregtojnë me pakicë naftë dhe benzinë në Shqipëri kanë ulur çmimet. Nga një vëzhgim i SCAN TV rezulton se tashmë drejtuesit e automjeteve do të paguajnë 5 deri 6 lekë më pak për litër si për naftën, ashtu edhe për benzinën.
Konkretisht, nga 189 lekë për litër që shitej më parë, në Kryeqytet ari i zi tregtohet deri 183 lekë për litër. E njëjta tendencë është edhe për benzinën, e cila deri dy ditë më parë shitej me 188 lekë për litër, ndërsa sot me 183 lekë.
Në këtë mënyrë, pas mbi 5 muajsh kompanitë ndryshuan çmimet me pakicë të karburanteve. Gjithsesi, ato mbeten ende të larta po të kemi parasysh dy faktorë, si forcimi i lekut kundrejt valutave dhe rënia e çmimeve në bursat ndërkombëtare. Këta dy faktorë duhet të ishin reflektuar më parë në tregun vendas të shitjes me pakicë të karburanteve.
Në mars të vitit 2022, menjëherë pasi Rusia sulmoi ushtarakisht Ukrainën, ashtu si edhe vende të tjera, qeveria shqiptare krijoi Bordin e Transparencës për çmimet e karburanteve. Ky Bord, që kishte për detyre të përcaktonte çmimet tavan, ushtroi detyrën deri në muajin qershor të vitit të kaluar.
Elisabeta Dosku/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.