“Ulni konsumin për të kursyer para!” – Apeli i rregullatorit të energjisë për familjet në Britaninë e Madhe
Rregullatori i energjisë në Britaninë e Madhe do t’i nxisë konsumatorët të ulin konsumin “ku është e mundur”, ndërsa përgatitet të nisë një fushatë për të ndihmuar familjet të reduktojnë përdorimin e energjisë elektrike dhe gazit.
Shefi ekzekutiv i Ofgem, Jonathan Brearley, tha se ulja e konsumit të energjisë është “jo vetëm mënyra më e drejtpërdrejtë për të reduktuar faturat, por ndihmon drejtpërdrejt në sigurinë e furnizimit, kontribuon në dekarbonizimin dhe kursen para’ për financat publike”. Nga ana tjetër, ai minimizoi kërcënimin e mungesës së energjisë këtë dimër, duke thënë: “Për të qenë të qartë, ne nuk mendojmë se ka një emergjencë furnizimi.”
Ky ishte fjalimi i parë që rregullatori ka bërë që kur qeveria njoftoi një nga ndërhyrjet e saj më të mëdha në historinë moderne për të reduktuar faturat e energjisë për konsumatorët dhe bizneset, me një kosto të pritshme prej 150 miliardë paund.
Megjithëse Ofgem mirëpret paketën e qeverisë për mbështetjen e energjisë, Brearley paralajmëroi se një pjesë e familjeve do të paguajnë ende afërsisht dyfishin për energjinë e konsumuar krahasuar me një vit më parë.
Skema e mbështetjes së energjisë do të kufizojë faturën vjetore të një familjeje me përdorim mesatar në 2,500 paund për dy vjet, megjithëse shifrat e sakta do të varen nga konsumi, pasi kufiri zbatohet për çmimin për njësi të energjisë. Fatura mesatare e familjeve vitin e kaluar ishte rreth 1277 paund bazuar në tarifën e gazit dhe energjisë elektrike.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.