Zyra e “Luftës së Vjetër” transformohet në hotel – Shndërrimi në një tempull luksi kushtoi 1.6 miliardë paund
Dikur një pallat për dinastitë Tudor dhe Stuart, selia e operacioneve për liderët ushtarakë si Winston Churchill dhe një ndërtesë ikonike që ishte dëshmitare e heshtur e ngjarjeve që formësuan shekullin e njëzetë, zyra ikonë e “Luftës së Vjetër” në Londër po hap dyert si një hotel pas një ndryshimi prej disa milionë paund. “Raffles London” do të hapet për publikun më 29 shtator si vendstrehimi më i ri luksoz i kryeqytetit britanik, duke shënuar një epokë të re të mikpritjes super luksoze.
Me 120 dhoma dhe suita që fillojnë nga 1 mijë dhe shkojnë deri në 24 mijë paund në natë, 85 apartamente, një sallë balloje me kapacitet për 600 persona, “tempulli” i luksit kushtoi 1.6 miliardë paund për t’u transformuar.
Sado paradoksale të duket në një kohë inflacioni të lartë dhe stresit financiar, Raffles është pjesë e një tendence më të gjerë në Londër. Këtë muaj, një tjetër hotel 1.2 miliardë euro, Peninsula, u hap në Hyde Park Corner, ndërsa në vjeshtë do të hapet në Mayfair hoteli i dytë Mandarin Oriental i kryeqytetit.
Çmimet e dhomave janë të paprecedentë pasi të gjitha fillojnë me katër shifra. Pas transformimit të zyrës së “Luftës së Vjetër” është Grupi Hinduja, një kompani e themeluar në Indinë koloniale që është rritur në një konglomerat global që punëson rreth 200 mijë njerëz. Ashtu si gazetat dhe klubet e futbollit, hotelet madhështore të Londrës kanë qenë gjithmonë trofe. Hotelet e reja ultraluksoze përsëri theksojnë trashëgiminë e tyre aziatike. Peninsula, Rosewood dhe Mandarin Oriental janë të vendosura në Hong Kong. Six Senses e ka selinë në Bangkok dhe Raffles i ka rrënjët në Singapor, ndonëse tani është pjesë e gjigantit francez Accor.
Por a mund të përballojë Londra kaq shumë dhoma hoteli super luksoze dhe çmime të tilla? Megjithë pasigurinë ekonomike, industria duket në rritje. Tregu është i fragmentuar, me të pasurit me të vërtetë të gatshëm të paguajnë më shumë, ndërkohë që klasat e mesme dhe të ulëta janë duke u shtrydhur, sipas analistëve.
Dorina Kurtaj /SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.