10 vite procesi i Berlinit: Një dekadë bashkëpunimi për Ballkanin perëndimor!
Në konferencën e mbajtur sot, me temë “Ballkani Perëndimor, si një rajon ekonomik në rrugën drejt Bashkimit Evropian”, ku morën pjesë ministrat e ekonomisë të vendeve të WB6, të ftuar nga Ministria Federale Gjermane për Ekonominë, Tregtinë dhe Klimën. Ndër të pranishmit ishin gjithashtu ministra të ekonomisë të disa vendeve të BE-së, përfaqësues të Komisionit Evropian (DG NEAR), OECD, Dhoma Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë, Dhoma e Investimeve të WB6 (CIF), Dhomës Shqiptare e Tregtisë dhe Industrisë, si dhe përfaqësues të shumtë të sektorit privat.
Pjesëmarrësit shqyrtuan një sërë çështjesh thelbësore që kanë shoqëruar Procesin e Berlinit gjatë këtyre 10 viteve:
- Vlerësimi i progresit të deritanishëm të Procesit të Berlinit;
- Hapat e ndërmarrë nga vendet e rajonit drejt krijimit të një tregu të përbashkët;
- Sfidat dhe pengesat që mbeten për integrimin në tregun evropian;
- Tërheqja e investimeve të huaja në Ballkanin Perëndimor;
- Perspektivat e zhvillimit rajonal dhe fushat me potencial për rritje ekonomike;
- Ndërtimi i një ekonomie të qëndrueshme, me fokus në inovacionin dhe dixhitalizimin.
Gjatë fjalës së tij, Ministri Gonxhja nënvizoi arritjet e Shqipërisë në kuadër të Marrëveshjes CEFTA dhe Planit të Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal. Vendi ka bërë përparime të rëndësishme në lehtësimin e tregtisë së mallrave dhe shërbimeve, si dhe në lëvizjen e lirë të punonjësve, çka ka sjellë një rritje të dukshme të volumit tregtar dhe ka forcuar bashkëpunimin institucional rajonal.
Në fjalën e tij, Ministri Gonxhja evidentoi ecurinë e mirë të Shqipërisë në këtë rrugëtim, duke identifikuar gjithashtu tri sfida kryesore të përbashkëta për vendet e Ballkanit Perëndimor, që kërkojnë mbështetjen e vazhdueshme të BE-së:
- Zhvillimi i infrastrukturës moderne;
- Harmonizimi i legjislacionit me standardet e BE-së;
- Integrimi ekonomik dhe tregtar për ndërtimin e një ekonomie të qëndrueshme dhe konkurruese.
Pas konferencës u mbajt një seancë plenare me ministrat përgjegjës për ekonominë e vendeve të WB6, nën drejtimin e Ministrisë Federale Gjermane për Ekonominë, Tregtinë dhe Klimën. Kjo seancë u përqendrua në Planin e Veprimit të Përbashkët dhe tërheqjen e investimeve, si një motor kyç për zhvillimin rajonal.
Ministri Gonxhja vuri në dukje sfida të rëndësishme, si heqja e barrierave teknike, fiskale dhe fizike, optimizimi i sistemit doganor dhe harmonizimi legjislativ, që janë prioritet për të përmirësuar tregtinë në rajon dhe me BE-në. Përmirësimi i infrastrukturës dhe dixhitalizimit janë gjithashtu thelbësore për ndërtimin e një ekonomie konkurruese.
Lidhur me investimet, momenti aktual shihet si një mundësi unike për vendet e Ballkanit Perëndimor. Duke përafruar politikat dhe standardet me ato të BE-së dhe praktikat më të mira ndërkombëtare, vendet e rajonit mund të hapin dyert për investime kapitale dhe të krijojnë një treg më të madh e më të favorshëm për investitorët, si vendas ashtu edhe të huaj.
Në përfundim të takimeve, u theksua se udhëtimi drejt integrimit evropian është një sfidë komplekse që kërkon mbështetje politike, përkushtim të vazhdueshëm dhe angazhim të të gjithë aktorëve — nga qeveritë, te bizneset dhe shoqëria civile. Suksesi i këtij udhëtimi varet nga bashkëpunimi rajonal dhe vizioni i përbashkët për një prosperitet të përbashkët.
Procesi i Berlinit, pavarësisht vështirësive, synon të sjellë përfitime të qëndrueshme për vendet e Ballkanit Perëndimor, duke i afruar gjithnjë e më shumë me Bashkimin Evropian.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.