6-mujor i “bollshëm” për KESH – Mbiprodhimi, nga shitja e energjisë. U gjeneruan 40.4 mln euro të ardhura
Mbiprodhimi i energjisë në Kaskadën e Drinit favorizoi shitjet në gjysmën e parë të këtij viti, teksa të dhënat zyrtare nga Enti Rregullator i Energjisë tregojnë se Korporata Elektroenergjetike Shqiptare arkëtoi 40.4 mln euro, pa TVSH nga ky aktivitet tregtar.
KESH nuk shiti energji vetëm në muajt mars dhe prill, duke përdorur energjinë e prodhuar për plotësimin e nevojave konsumatore në vend. Çmimi mesatar me të cilin u shit energjia përgjatë periudhës janar – qershor arriti në 82.92 euro/ mWh, ndërkohë që sipas përllogaritjeve të SCAN TV ky çmim është më i ulët se ai i bursës hungareze, që rezulton në 120 euro/mWh. Ndërkaq, përgjatë kësaj periudhe, gjeneruesi publik nuk arriti të sigurojë kontrata depozitimi, ndonëse shpalli disa procedura. Gjithsesi, gjenerimi i të ardhurave nga shitja e energjisë erdhi pas një situate të favorshme hidrike në Kaskadën e Drinit.
Sipas të dhënave zyrtare, uji në liqenin e Fierëz arriti mbi nivelet historike përgjatë periudhës janar – qershor të këtij viti. Sipas ERE-s në muajin qershor niveli në këtë liqen arriti në 296.3 m apo 7 metra më shumë se mesatarja historike, si dhe duke tejkaluar edhe maksimalen që është shënuar për këtë muaj në 30 vitet e fundit. Niveli maksimal u tejkalua edhe gjatë muajit janar të këtij viti.
Ola Mitre / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.