Bota, në alarm për mungesën e ujit – Europa më e kërcënuara, por asnjë vend nuk është imun
Thatësira dhe zjarret që goditën Europën Jugore këtë verë janë shenjat më të dukshme të një problemi kompleks dhe të rrënjosur të mungesës së ujit që po bëhet gjithnjë e më serioz në Kontinentin e Vjetër, në sfondin e ndryshimeve klimatike. Periudhat e thatësirës janë rritur në mënyrë dramatike në numër dhe intensitet në BE, me zonat e ‘kuqe dhe popullsitë e testuara duke u rritur me pothuajse 20% midis 1976 dhe 2006, sipas Organizatës Botërore Meteorologjike. Instituti Botëror i Burimeve parashikoi në vitin 2020 se kërkesa globale për ujë të freskët do të tejkalonte furnizimin e disponueshëm me 56% deri në vitin 2030, një hendek më i madh se 40% e parashikuar nga firma konsulente McKinsey në 2009 – ën.
Problemi i mungesës së ujit është aq i mprehtë sa në vende si Franca dhe Spanja kanë shpërthyer trazira midis fermerëve, konsumatorët më të mëdhenj të ujit në Kontinentin e Vjetër, dhe grupeve mjedisore. Ndikimi i mungesës së ujit është veçanërisht i mprehtë për fermerët, por do të prekë gjithashtu familjet dhe shumë sektorë të industrisë, duke përfshirë prodhimin e energjisë, pasi uji është i nevojshëm për të ftohur termocentralet bërthamore dhe për të gjeneruar hidrocentrale. Në vitet e ardhshme, sipas Financial Times, një përzierje e masave të papërshtatshme, interesave personale dhe ndryshimeve të shpejta klimatike do ta përkeqësojnë situatën edhe më shumë.
Politikëbërësit në Europë deri më tani i kanë kushtuar pak vëmendje rezervave të ujit, ndërkohë që një sërë rregulloresh vendore, rrjedhjet e rrjetit të ujit dhe ngjarjet ekstreme të motit po i kthejnë edhe vendet me reshje më të larta, si Polonia apo Gjermania, në zona të “stresit të ujit”. Pavarësisht shqetësimeve për mungesën e ujit, BE mbetet indiferent ndaj sasive të humbura për shkak të cilësisë së dobët të rrjeteve të ujësjellësit. Është vlerësuar se mesatarisht 25% e ujit të pijshëm humbet për shkak të rrjedhjeve në tuba, sipas organit të industrisë EurEau. Bullgaria, Rumania dhe Italia kryesojnë listën e shkelësve më të këqij.
Në të njëjtën kohë, tarifat e ujit në Europë janë relativisht të lira për familjet në krahasim me koston e faturave të energjisë, gjë që kufizon paratë në dispozicion të kompanive për të kryer riparime jetike. Në Irlandë, për shembull, qytetarët nuk paguajnë asgjë për përdorim bazë shtëpiake. Çështja e menaxhimit të ujit është e ndërlikuar nga numri i madh i bizneseve private apo komunale që menaxhojnë ujin, me më shumë se 78 mijë biznese të madhësive të ndryshme që operojnë në këtë sektor në të gjithë BE-në, raporton Financial Times. Sipas OECD, të gjitha vendet e BE-së, përveç Gjermanisë, duhet të rrisin shpenzimet vjetore të ujit me të paktën 25% për të respektuar rregullat e BE-së për konsum .
Në qershor hynë në fuqi rregullat e BE-së. për ripërdorimin e ujit, ndërsa Brukseli u kërkoi vendeve anëtare të hartonin plane për menaxhimin e thatësirës.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.