Të “arratisesh” nga Gjermania – Gjithmonë e më shumë kompani industriale po largohen
Sipas rezultateve të një sondazhi të fundit, gjithnjë e më shumë kompani industriale po planifikojnë të largohen nga Gjermania, kryesisht për shkak të çmimeve të larta të energjisë elektrike.
Pothuajse një e treta e kompanive që morën pjesë në hulumtim janë duke i zhvendosur fabrikat e tyre jashtë vendit, po reduktojnë prodhimin në vend, ose kanë plane për të bërë dicka të tillë brenda një kohe të shkurtër.
Sipas të dhënave të Dhomës Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë, DIHK, në krahasim me vitin e kaluar numri i kompanive që kanë marrë një vemdim të tillë, është dyfishuar.
Zhvendosjet më së shpeshti planifikohen nga kompani me 500 ose më shumë punonjës: 43 % janë duke përgatitur ose tashmë i kanë zhvendosur kapacitetet e tyre jashtë vendit. Këto kompani janë shpesh të lidhura ngushtë me vende të tjera dhe përballen me konkurrencë veçanërisht të ashpër.
Shqetësimet e kompanive për konkurrencën e tyre janë rritur në mënyrë dramatike, sipas të dhënave të konfirmuara zyrtarisht. Biznesmenët kanë shumë pak besim në politikën energjetike të qeverisë gjermane. Shumë nuk presin përmirësim në afat të mesëm dhe afatgjatë.
Kompanitë po e zhvendosin prodhimin në SHBA, për shembull, sepse qeveria amerikane ka miratuar një program të subvencioneve ekonomike me vlerë miliarda dollarë. Por, ka edhe zhvendosje të prodhimit apo ndërtimit të kapaciteteve të reja në Francë, ku çmimi i energjisë elektrike për industrinë është më i ulët.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.