“Tremben” nga shtrenjtimi i qumështit pluhur – Fabrikat ulin importin, rritet çmimi me 33.4% për kg
Rritja e çmimeve në tërësi ka prekur edhe qumështin pluhur i cili importohet nga fabrikat vendase, gjë që mesa duket ka sjellë ulje të kërkesës për blerje. Refruar të dhënave zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, sasia e qumështit pluhur të importuar ka rënë ndjeshëm përgjatë periudhës Janar-Gusht 2022 krahasuar me një vit më parë, e fiksuar në afro 13.2 për qind.
Por pavarësisht se sasia e blerë nga jashtë ka rënë, kompanitë kanë paguar një vlerë 10.8 për qind më të lartë se një vit më parë, apo 33 milonë lekë më shumë.
Konkretisht në 8 mujor, janë importuar rreth 868 ton qumësht pluhur, me një vlerë prej 338 milionë lekë apo 2.9 milionë euro. E thënë ndryshe, nëse në 2021-shin çmimi mesatar i blerjes i qumështit pluhur ishte 290.2 lekë për kg, gjatë këtij viti, ky produkt është blerë me 390 lekë/ kg, me një rritje prej 34.4 për qind, çka mesa duket ka stepur fabrikat në kërkesën e tyre.
Kjo ka ndodhur edhe pse subjektet e prodhimit dhe përpunimit të qumështit dhe nënprodukteve të tij, u përjashtuan nga pagimi i taksës kombëtare të qumështit pluhur në import apo blerjen e tij brenda vendit nëse plotësonin disa kritere bazike.
Gjatë vitit 2021 janë importuar në total 1615 ton qumësht pluhur. Vendet nga të cilat është importuar produkti qumësht pluhur janë: Angli, Belgjikë, Bullgari, Çeki, Francë, Irlandë, Greqi, Gjermani, Holandë, Itali, Lituani, Maqedoni, Poloni, Turqi dhe Ukrainë. Qumështi pluhur përdoret për të prodhuar djathë si dhe mund të përdoret edhe për prodhimin e produkteve të freskëta të qumështit.
Elisabeta Dosku / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.