Algjeria, furnizuesi i parë i Italisë me gaz – Do të dërgojë 4 miliardë metra kub shtesë përpara dimrit
Nuk do të ketë asnjë vështirësi për Algjerinë në të ardhmen për të eksportuar më shumë gaz në Itali. Kompania energjetike më e madhe në Itali, Eni ka bërë një deklaratë për publikun pasi mediat në Algjeri raportuan se Sonatrach, kompania shtetërore e vendit, ka vështirësi për të përmbushur kërkesat e Italisë sipas marrëveshjeve të fundit të nënshkruara nga të dy vendet.
Këto furnizime luajnë një rol shumë të rëndësishëm në pavarësinë energjitike të Italisë. Muajt e fundit Algjeria është bërë furnizuesi i parë i gazit për Italinë në vend të Rusisë dhe në muajin korrik konfirmoi se do të dërgonte 4 miliard metra kub gaz shtesë në Itali, pas vizitës së kryeministrit italian Draghi në vend.
ENI shpjegon se javën e fundit nga Algjeria, nëpërmjet Transmed kanë mbërritur në Itali mesatarisht 70 milion metra kub gaz në ditë, që përbëjnë rreth 36% të totalit të furnizime, si dhe trefishin e sasisë që ka mbërritur nga Rusia në të njëjtën periudhë. Vitet e fundit nuk ishin regjistruar asnjëherë flukse të tilla gazi nga Algjeria, gjatë muajit shtator.
Ndërkohë, Franca mund të ndalojë përkohësisht për një periudhë 2 vjcare furnizimet me energji elektrike për Italinë, që përbëjnë rreth 5% të kërkesës në vend. Pas reagimeve të mediave në vend, me anë të një deklarate, ministria franceze e tranzicionit energjitik sqaroi se nuk po merret në konsideratë një gjë e tillë dhe se vendet europiane duhet të mbështeten në një solidaritet reciprok në këtë kohë krize.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.