Tregtia e jashtme nën presionin e çmimeve – Rritje dy shifrore në vlerë gjatë gushtit, por bie në volum
Shifrat e gushtit vijonë të konfirmojnë “fryrjen” e tregtisë së jashtme si pasojë e rritjes së çmimeve. Kështu, eksportet gjatë gushtit prekën vlerën e 35 miliardë lekëve, në rritje me 48.1% krahasuar me gushtin e vitit të kaluar, ndërkohë që importet arritën në 80 miliardë lekë, 30.8% më të larta se një vit më parë. Në terma mujorë ndërkohë, pra krahasuar me korrikun, edhe importet edhe eksportet regjistrohen në rënie. Përgjatë të gjithë 8-mujorit, eksportet rezultojnë 41% më të larta se 8 muajt e parë të vitit të kaluar, në vlerë, ndërsa importet 24.8% më të larta.
Por, nëse tregtinë e jashtme do ta analizonim në peshë, për ta zhveshur nga efekti i çmimeve, shohim se, eksportet kanë rënë me 15% në gusht të këtij viti, krahasuar me gushtin e një viti më parë, ndërsa importet kanë rënë me 3.6%. Kjo tendencë është vënë re për muaj me radhë gjatë këtij viti, ku në vlerë tregtia e jashtme raporton rritje dyshifrore, ndërsa në peshë rezulton me rënie.
Sa i përket kontributit të grupeve kryesore, shohim se në drejtim të eksporteve dhe importeve, kryesojnë zërat që kanë pasur edhe rritjen më të lartë të çmimeve, si “Minerale, lënde djegëse dhe energji elektrike”, apo “Materiale Ndërtimi dhe Metale”. Shifrat tregojnë gjithashtu një zgjerim të ndjeshëm të industrisë fasone, duke qenë se “tekstile dhe këpucë” regjistrojnë rritje të ndjeshme si në eksport ashtu edhe në import, në vlerë.
Sa i përket vendeve partnere ndërkohë, eksportet gjatë gushtit kanë pësuar rritjen më të madhe vjetore me: Italinë, Gjermaninë dhe Spanjën. Eksportet në drejtim të Spanjës janë rritur me plot 411%, tregon Instat. Nga ana tjetër, vihet re se Kosova është në listën e 3 vendeve partnere me rënien më të madhe vjetore të eksporteve prej rreth 9%. Dy vendet e tjera janë: Maqedonia e Veriut dhe Kina. Në drejtim të importeve vëmë re se rritjen më të madhe e regjistron: Turqia, Kina dhe Greqia, ndërsa rënien më të madhe: Italia, Gjermania dhe Austria.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.