Shqiptarët “prodhuan” më pak mbetje – Por, rreth 14% e plehrave nuk arrijnë në vendet e caktuara!
Qytetarët shqiptarë kanë “prodhuar” më pak mbetje, por një pjesë e mirë e tyre nuk arrijnë të shkojnë në vendet e caktuara, por sërish mbeten rrugëve apo në venddepozitime të sajuara. Në mënyrë të përmbledhur kjo është panorama e mjedisit në vendin tonë për vitin e kaluar, sipas INSTAT.
Në publikimin e tij më të fundit, ky institucion vëren se sasia vjetore e mbetjeve urbane të menaxhuara për banorë, në shkallë vendi, në vitin 2022, ishte 295 kg/banor, nga 311 kg/banor që ishte në vitin paraardhës.
Në vitin 2022, janë gjeneruar gjithsej rreth 893 mijë ton mbetje urbane, ndërkohë në vitin 2021, kjo shifër ishte rreth 955 mijë ton. Por, nga sasia e mësipërme rezulton të jenë menaxhuar vetëm 820.322 mijë ton mbetje urbane. Mbetjet e pa menaxhuara në raport me sasinë totale të mbetjeve të gjeneruara janë 0,2% më shumë se në vitin 2021.
Një e dhënë shqetësuese për mjedisin është edhe rënia e sasisë së mbetjeve që nuk shkon në vendet e caktuara. INSTAT nënvizon se vitin e kaluar u depozituan rreth 76,6% e sasisë totale të mbetjeve në landfille dhe fusha mbetjesh, ndërkohë që në vitin 2021, u depozituan 79%, duke shënuar një rënie rreth 2,4% të sasisë gjithsej të depozitimeve në landfille dhe fusha mbetjesh të miratuara si depozita të përkohëshme nga bashkitë përkatëse.
E njëjta situatë duket se ka qenë edhe për mbetjet jo urbane bashkë me ato urbane, ku në vitin 2022, sasia e menaxhuar ishte 11,6% ndaj totalit sasisë gjithsej, nga 13,8% në 2021, duke shënuar një rënie me 2,2%.
Në vitin 2022, u ricikluan 18,9% e sasisë gjithsej të mbetjeve, ndërkohë që në vitin e kaluar ky tregues ishte 18,8 %. Ndërkohë, janë trajtuar me djegie në incenerator për eliminim dhe qëllime energjitike rreth 4,4% e sasisë gjithsej të mbetjeve, duke shënuar rritje të këtij treguesi me 2,4%, krahasuar me të njëjtin tregues në vitin 2021.
Dorian Koça/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.