Sa do të paguajnë bizneset si taksë prone? – Krahasimi në bashki të ndryshme: Sa më e madhe vlera, aq më i lartë detyrimi!
Projektligji i ri për taksimin e pasurive të paluajtshme parashikon ndryshime dhe sa i takon detyrimit që kanë njësitë e shërbimit. Nivelet e propozuara të taksës për ndërtesat kategori tregtare variojnë nga 0.15 % – 0.25 %. SCAN TV ka siguruar shembujt konkretë të ndërmarrë nga Ministria e Financave, për të kuptuar më mirë se sa do të jenë taksat për qytetarët që kanë në pronësi një ambient tregtar.
Konkretisht, për kategorinë e pronës dyqan në Tiranë, me një vlerë 300 milionë lekë dhe sipërfaqe 50 m2, shkalla e taksës aktuale është 0.2 %, taksa vjetore që paguhet aktualisht është 30 mijë lekë, ndërsa me nivelet e propozuara, detyrimi për tu paguar varion nga 22.500 lekë – 37.500 lekë, me një rritje maksimale që regjistrohet në 7500 lekë.
Për kategorinë e pronës dyqan në Vlorë, me një vlerë 150 milionë lekë dhe sipërfaqe 50 m2, shkalla e taksës aktuale është 0.2 %, taksa vjetore që paguhet aktualisht është 15 mijë lekë, ndërsa me nivelet e propozuara, detyrimi për tu paguar varion nga 11.250 lekë – 18.750 lekë, me një rritje maksimale që regjistrohet në 3750 lekë.
Për kategorinë e pronës dyqan në qytetin e Fierit me një vlerë 100 milionë lekë dhe sipërfaqe 50 m2, shkalla e taksës aktuale është 0,2 %, taksa vjetore që paguhet aktualisht është 10 mijë lekë, ndërsa me nivelet e propozuara, detyrimi për tu paguar varion nga 7500 lekë – 12.500 lekë, me një rritje maksimale që regjistrohet në 2500 lekë.
Pra e thënën ndryshe, sa më e ulët të jetë vlera e një prone, aq më e ulët është taksa që paguhet mbi njësi. Duke qenë se në kryeqytet vlera e pronës është më e lartë, detyrimet do të jenë më të “kripura”, ndërsa në bashki të tjera do të paguhet më pak.
Elisabeta Dosku/ SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.