Konsumi i mallrave të akcizës prek “majat” – 11-mujori/ Rriten zhdoganimet për karburantet, birrën, kafenë dhe cigaret
Importi i mallrave të akcizës në vendin tonë është rritur ndjeshëm përgjatë këtij viti, ku ndikimin kryesor e ka pasur sezoni turistik i cili ishte përtej pritshmërive. Të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave për 11-mujorin 2023 tregojnë se sasia e mallrave të zhdoganuara si karburant, cigare, kafe dhe birrë ka marrë hov të konsiderueshëm.
Konkretisht për periudhën Janar-Nëntor janë importuar 560.7 mijë ton karburante, me një rritje të konsiderueshme prej 50 mijë tonë krahasimisht me një vit më parë, pavarësisht çmimeve të larta që janë aplikuar.
Po ashtu, rritje ka pësuar edhe importi i birrës, gjë që vjen për shkak të konsumit të shtuar por edhe mungesës së prodhimit në vend. Në 11 muaj janë zhdoganuar 50.9 mijë litra birrë.
Një ndër mallrat e tjerë të akcizës që po fiton terren është edhe cigarja. Pavarësisht politikave dekurajuese që aplikohen dhe rritjes së çmimeve të produkteve finale, në 11-mujor janë importuar 38 ton më shumë produkte duhani dhe në total një sasi prej 2924 ton.
Për duhanin aplikohet një kalendar i caktuar për rritjen progresive të akcizës deri në vitin 2026 që parashikon rritje mesatarisht 250 lekë për kg çdo vit. Ndërkohë, 1 janari 2024 i gjen çmimet finale të shitjes të shtuara me rreth 20-30 lekë.
Sa i takon kafesë, deri në nëntor janë importuar 8 mijë ton, me rritje prej 1 mijë ton krahasimisht me një vit më parë. Nëse do ti referohemi vetëm muajit Nëntor, duket se rritje ka pësuar importi i birrës dhe karburantit i cili lidhet më së shumti me periudhën e prag festave, ndërsa me rënie janë cigarja dhe kafeja, për shkak të sasive më të larta të zhdoganuara në muajin Tetor.
Elisabeta Dosku/ SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.