Tregu i përbashkët energjetik Shqipëri-Kosovë – Masat/ Ankande në “hije”, në rast se bashkimi i tregjeve nuk prodhon rezultate
Teksa 1 shkurti i këtij viti shënoi bashkimin e tregjeve të energjisë mes Shqipërisë dhe Kosovës, operatorët e sistemit të transmetimit të 2 vendeve kanë hartuar rregulla rezervë në rast të dështimit të shit -blerejeve të energjisë në zonën e përbashkët ofertuese.
Sipas dokumentit të hartuar, thuhet se procedurat rezervë do të zbatohen në rast se procesi i bashkimit të tregut të energjisë elektrike të ditës në avancë Shqipëri – Kosovë nuk është në gjendje të prodhojë rezultate.
Më konkretisht, specifikohet se në rast këtë rast, OST dhe KOSTT do të iniciojnë procedurën rezervë të ditës në avancë dhe do të nisin ekzekutimin e ankandeve në hije. Ankand në hije do të thotë ankand eksplicit i organizuar përmes platformës së alokimit me anë të cilit kapaciteti ditor ndërzonal ofrohet si procedurë rezervë e procesit të bashkimit të tregut të energjisë elektrike të ditës në avancë Shqipëri – Kosovë.
Ky ankand u alokohet pjesëmarrësve të tregut që dorëzojnë ofertë. Sipas dokumentit, ankandet në hije mbahen shtatë ditë në javë, duke përfshirë fundjavën dhe festat publike.
Gjithsesi, sipas dokumentit, procedurat rezervë në kufirin Shqipëri – Kosovë kontribuojnë dhe nuk pengojnë arritjen e objektivave për vazhdueshmërine e operimit të tregut të organizuar të ditës në avancë dhe sigurojnë një qasje transparente dhe jodiskriminuese drejt lehtësimit të alokimit të kapaciteteve ndërzonale në rast se procesi i bashkimit të tregut të një dite më parë nuk është në gjendje të prodhojë rezultate.
Ola Mitre / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.