Priten reshje shiu intensive në Shqipëri – Mbrojtja Civile, apel institucioneve për gatishmëri maksimale
Pas disa ditëve me temperatura tipike verore, temperaturat do të shënojnë ulje prej disa gradë, ndërsa do të ketë edhe reshje shiu intensive. Parashikimi nga ekspertët e Instituti i Gjeoshkencave tregon se gjatë ditës së mërkurë parashikohen reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët dhe lokalisht mesatar në pjesën më të madhe të territorit prej orëve të mesnatës. Sipas Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, sasia e reshjeve pritet të jetë me intensive deri lokalisht shumë intensive në qarkun e Shkodrës.
Në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër dhe Lezhë mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave. Në zonat urbane, në këto qarqe mund të shfaqen probleme me përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjendjes së kanalizimeve.
Ndërkohë, të enjten parashikohen reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët deri në mesatar në pjesën më të madhe të territorit.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile u kërkon bashkive që të mobilizojnë strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile, si dhe institucioneve që kanë në administrim hidrovoret, rezervuarët, infrastrukturën rrugore, furnizimin me energji elektrike, furnizimin me ujë, monitorimin e nivelit të lumenjve dhe çdo strukturë tjetër që është në funksion të menaxhimit të emergjencave civile.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka vendosur në dispozicion numrin 08000911 për të ndihmuar dhe ofruar këshilla në kohë reale.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.