Ecuria e sektorit energjetik në vitin 2023 – ERE: Prodhimi, mbi mesataren shumëvjeçare. Humbjet në rrjet u ulën
Kapaciteti prodhues i energjisë elektrike u rrit me 26 MW gjatë vitit 2023, duke arritur në një total prej 2,675 MW. Kjo shifër mbetet modeste në krahasim me operatorët që tashmë janë licencuar në këtë drejtim, por që ende nuk kanë instaluar impiantet e tyre.
Sipas Raportit vjetor të Entit Rregullator të Energjisë, vitin që shkoi këto impiante gjeneruan në total 8,796 GWh, ndërkohë që prodhimi dominohet nga hidrocentralet e Kaskadës së Drinit, me 58.3 % totalit. Po ashtu, sipas ERE nga analiza e historikut të prodhimit të energjisë elektrike të regjistruar në vend, viti 2023 rezulton mbi mesataren e periudhës 2009 – 2023.
“Mesatarja e prodhimit të energjisë elektrike për periudhën 2009 –2023 ka rezultuar 6,770 GWh, ndërkohë që gjatë vitit që shkoi prodhimi i realizuar është 30 % më i lartë se mesatarja shumëvjeçare”, – thuhet ndër të tjera në raport, duke theksuar se viti 2023 konsiderohet një vit i mirë hidrologjik nga pikëpamja e prodhimit të energjisë elektrike. Ndërkaq, sa i takon nivelit të humbjeve të energjisë elektrike në sistemin e transmetimit, ato rezultojnë në 2.17 % e energjisë elektrike të transmetuar.
Ndërkohë që, humbjet në rrjetin e shpërndarjes te raportuara nga OSHEE Group përgjatë vitit 2023 janë 18.93 %, me një diferencë prej 0.7 % më të ulta se targeti i vendosur nga qeveria në vitin 2021. Ndërkohë, niveli i arkëtimeve për vitin 2023 është 99.4 % kundrejt energjisë elektrike të faturuar, duke u rritur me 1.4% në raport me një vit më parë.
Ola Mitre / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.