Ekonomia u kreditua me 763 mld lekë në mars – Institucionet financiare dhanë më shumë hua në lekë, se në euro
Të dhënat e publikuara nga “Banka e Shqipërisë’, që i referohen muajit mars 2024 tregojnë se në terma vjetorë kredia e dhënë nga institucionet financiare fiksohet pranë 763 miliardë lekëve duke njohur një rritje prej 7% nga marsi i vitit të kaluar. Kjo rritje i atribuohet kryesisht zgjerimit të kreditimit të “Korporatave të tjera financiare” të cilat morën në total 205 miliardë lekë kredi ose 296 milionë lekë më shumë se në muajin shkurt të po këtij viti.
“Scan Intel” ka analizuar të dhënat për të kuptuar trendin e kredive si në monedhën vendase ashtu edhe në monedhë të huaj. Shifrat flasin për një rritje të kredive në monedhën vendase pas një rënie në muajin shkurt. Përkatësisht kredia e marrë nga “Korporatat jofinanciare publike” arriti në 8.9 miliardë lekë duke konstatuar një rritje mujore prej 13%, po ashtu edhe “Korporatat e tjera jofinanciare” e rritën kreditimin me 20% gjatë muajit mars, ndërsa kredia e dhënë për “Korporatat e tjera financiare” dhe për “Sektorët rezidentë” njohën një rritje mujore prej 49% dhe 20% përkatësisht.
Nga ana tjetër, portofoli i kreditimit në monedhën euro ka pësuar rënie në të gjithë sektorët. Konkretisht, kredia për “Korporatat jofinanciare publike” në muajin mars rezulton të jetë 3.2 miliardë euro më pak se në muajin shkurt të këtij viti. Ndërsa kredia për korporatat e tjera jofinanciare u ul me 11.2 miliardë euro. Në të kundërt, “Korporatat e tjera financiare” kanë rritur jo vetëm kreditimin në lekë por edhe atë në euro.Sipas të dhënave rezulton se kreditimi në lekë u rrit 6 herë më shumë se ai në monedhën europiane nga këto korporata. Këto institucione përbëjnë edhe pjesën më të madhe të kredisë totale.
Pra, portofoli i kredisë në sistemin bankar ka pësuar rritje në muajin mars të këtij viti pas rënies së konstatuar një muaj më parë. Pas analizës së të dhënave për kreditë sipas monedhës rezulton se kredia në lekë pati një rritje të ndjeshme për të gjithë sektorët ndërkohë që ajo në monedhën euro pësoi rënie dhe kjo shpjegohet edhe nga kushtet aktuale të tregut valutor, të cilat së fundmi kanë konfirmuar forcimin e monedhës vendase dhe zhvlerësimin e monedhës së huaj.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.