Ulen projeksionet e kërkesës për naftë – Për shkak të aktivitetit të dobët industrial dhe dimrit të butë
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) shkurtoi parashikimin e saj për rritjen e kërkesës për naftë për vitin 2024, duke zgjeruar hendekun me grupin prodhues të naftës OPEC për sa i përket pritshmërive për perspektivën e kërkesës globale të naftës për këtë vit.
Ndarja midis Agjencisë, e cila përfaqëson vendet e industrializuara dhe OPEC dërgon sinjale divergjente për fuqinë e tregut të naftës në vitin 2024 dhe, në terma afatgjatë, për shpejtësinë e tranzicionit të botës drejt karburanteve më të pastra.
Kërkesa globale për naftë këtë vit do të rritet me 1.1 milionë fuçi në ditë, tha Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë me bazë në Paris në një raport mujor, 140,000 fuçi në ditë më pak nga parashikimi i mëparshëm, duke përmendur kryesisht kërkesën e dobët në vendet e zhvilluara të OECD.
Agjencia tha se parashikimi më i ulët ishte i lidhur me aktivitetin e dobët industrial dhe një dimër të butë në konsum, veçanërisht në Evropë. “E kombinuar me furnizimet e dobëta me naftë në Shtetet e Bashkuara në fillim të vitit, kjo ishte e mjaftueshme për ta kthyer kërkesën për naftë të OECD në tremujorin e parë në tkurrje,” tha agjencia.
Të martën, Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës “frenoi” në pritshmërinë e saj se kërkesa botërore për naftë do të rritet me 2.25 milionë fuçi në ditë në vitin 2024. Diferenca prej 1.15 milionë fuçi në ditë është rreth 1% e kërkesës botërore.
Edhe pse perspektiva ekonomike e kërkesës globale është përmirësuar që nga fundi i vitit të kaluar, inflacioni i qëndrueshëm në ekonomitë kryesore perëndimore i ka shtyrë investitorët të zvogëlojnë pritjet e tyre për ulje të normave të interesit të bankës qendrore, tha IEA. Kostot e larta të huamarrjes, të cilat janë vendosur prej muajsh në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë, zbehin rritjen ekonomike dhe kërkesën për naftë.
Dorian Koça/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.