Ministrat e rinj betohen në Presidencë – Pas votimit një ditë më parë në Kuvend
Diamila Leka/SCAN
Një ditë pas votimit në Kuvend të ndryshimeve në qeveri, katër ministrat e rinj të ekzekutivit janë betuar përpara Presidentit të Republikës, Bajram Begaj. Pas ekzekutimit të Himnit Kombëtar, katër ministrat u betuan duke vendosur dorën mbi Kushtetutë.
Ministër i Mbrojtjes, Pirro Vëngu, i cili më parë ishte drejtor i Autoritetit Portual të Durrësit, zëvendëson në këtë detyrë, Niko Peleshin.
Ministër i Brendshëm, Ervin Hoxha, i cili ishte drejtor i Inspektoratit Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit, zëvendëson Taulant Ballën.
Ministër i Financave, Petrit Malaj, i cili më parë mbante detyrën e drejtorit të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, zëvendëson Ervin Meten.
Ndërkohë, ministër Shteti për Parlamentin, Taulant Balla, i cili më parë ishte Ministër i Brendshëm, zëvendëson në këtë detyrë, Elisa Spiropalin, e cila u zgjodh kryetare e Kuvendit.
Ndryshimet në kabinetin qeveritar u njoftuan të dielën e kaluar nga Kryeministri Edi Rama, gjatë kongresit të Partisë Socialiste.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.