Kriteret për kualifikimin e arsimtarëve – Zbardhet udhëzimi i Ministrisë së Arsimit. Marrja e titullit, mundësi për rritjen e pagës
Ada Hazizolli/SCAN
Të gjithë punonjësit arsimor në sistemin parauniversitar, që kanë mbi tre vite punë kanë detyrimin që t’i nënshtrohen provimeve të kualifikimit. Marrja e titullit si “Mësues i kualifikuar”, “Mësues specialist” apo “Mësues mjeshtër” është një mundësi për të pasuruar portofolin e tyre profesional, në të njejtën kohë ‘shpërblehet’ edhe me shtesë në pagë.
Në udhëzimin e ndryshuar, publikuar në Fletoren Zyrtare janë përcaktuar kriteret dhe procedurat, që do të ndiqen përgjatë vitit të ri shkollor, për kualifikimin e arsimtarëve.
Konkretisht, procedurave të kualifikimit u nënshtrohen detyrimisht të mësuesit të cilët deri në 31 dhjetor të vitit pasardhës plotësojnë kushtet mëposhtme për vjetërsinë e punës në arsim. Për kategorinë “Mësues i kualifikuar” nevojiten: 3 vjet punë në arsim, 30 kredite zhvillim profesional për tre vjet dhe vlerësim i performancës nga drejtori i shkollës “Mirë” ose “Shumë mirë”.
“Për kategorinë e kualifikimit “Mësues specialist” duhen: 8 vjet punë si mësues, nga të cilat 5 vjet punë pas fitimit të kategorisë “Mësues i kualifikuar”, 50 kredite zhvillim profesional për pesë vjet pas fitimit të kategorisë “Mësues i kualifikuar” si edhe vlerësimi i performancës nga drejtori i shkollës “Mirë” ose “Shumë mirë””, thuhet në udhëzim.
Ndërkohë, për kategorinë e kualifikimit “Mësues mjeshtër” nevojiten 15 vjet punë si mësues nga të cilat 7 vjet punë pas fitimit të kategorisë “Mësues specialist”, 70 kredite zhvillim profesional për shtatë vjet pas fitimit të kategorisë “Mësues specialist” si edhe vlerësimi i performancës nga drejtori i shkollës. Vlerësimi përfundimtar për të gjithë kandidatët bëhet me sistemin e 100 pikëve.
“Vlerësimi për kandidatët e kategorisë “Mësues i kualifikuar” është 30 pikë të dosjes, 30 pikë të orës së hapur mësimore dhe 40 pikë të testit të informatizuar. Vlerësimi për kandidatët e kategorisë “Mësues specialist” është 30 pikë të dosjes, 30 pikë të orës së hapur mësimore dhe 40 pikë të projektit kurrikular dhe vlerësimi për kandidatët e kategorisë “Mësues mjeshtër” është 30 pikë të dosjes dhe 70 pikë të projektit kurrikular”, theksohet në vendim, ku vihet në dukje po ashtu se kandidati, që nuk e fiton kualifikimin, nëse vlerësimi përfundimatar i tij është “Dobët” hyn në procesin e sesionit pasardhës.
Prej muajit që lamë pas, pagat për më shumë se 36 mijë arsimtarë u rritën deri në 70 për qind, bazuar edhe në kualifikimet dhe vjetërsinë në punë. Shtesa më e lartë u aplikua për mësuesit në ciklin e ulët të shkollave 9-vjeçare, për të cilët rritja ishte nga 26 800 lekë deri në 31 000 lekë.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.