Punësimi informal në Greqi, i dyti më i lartë – Malta dhe Sllovenia me shkallën më të ulët në Eurozonë
Kristi Ceta/SCAN
Punësimi informal i regjistruar në Greqi qëndron në 4.5%, i dyti më i lartë në Eurozonë. Edhe pse në praktikë, puna e padeklaruar është shumë më e përhapur.
Punësimi informal në Greqi dhe Portugali është dy herë më i lartë se në vendet e tjera të Eurozonës, sipas një raporti të Organizatës Ndërkombëtare të Punës të OKB-së.
I njohur ndryshe si puna pa kontratë, mbrojtje ligjore apo sigurime shoqërore, ky lloj punësimi mbetet i përhapur në mbarë botën. Sipas vlerësimeve për vitin 2023, 58% e fuqisë punëtore globale është e punësuar në mënyrë informale. Pasi përjashtohen punëtorët e bujqësisë, kjo shifër bie në 50%.
Në Evropë dhe Azinë Qendrore, puna pa kontratë ishte deri vonë në raportin 1 në 5 punëtorë. Megjithëse përqindja është më e ulët në vendet e BE-së në krahasim me rajonet e tjera, një numër i konsiderueshëm punëtorësh në të gjithë Evropën ende bëjnë pjesë në ‘ekonominë e padeklaruar’.
Bazuar në të dhënat e vitit 2023, Hungaria dhe Polonia kishin normat më të larta të punësimit informal midis vendeve të BE-së, përkatësisht 17.8% dhe 9.8%. Në të kundërt, puna pa kontratë është shumë më pak e përhapur në shtetet e tjera anëtare të Bashkimit Evropian, me normat që bien nën 2% në një të tretën e vendeve të BE-së.
Vendi i parë i Eurozonës për punësim informal renditet Portugalia me 4.6%. Malta shënoi shkallën më të ulët me 0.7%, e ndjekur nga Sllovenia me 1% dhe Belgjika e Bullgaria me 1.3%.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.