Paketë për rijetëzimin e industrisë ushtarake – Vëngu: Do të shlyhen detyrimet ndaj punonjësve dhe ish-punonjësve
Hamit Yzeiraj/SCAN
Qeveria ka miratuar paketën financiare për industrinë ushtarake, me qëllim shlyerjen e detyrimeve komplekseve ndaj punonjësve dhe ish-punonjësve në kombinatet e Poliçanit, Gramshit dhe Mjekësit. Pas mbledhjes së ekzekutivit, ministri i Mbrojtjes, Pirro Vëngu, shpjegoi detajet e vendimit.
“Lajm shumë I mirë për industrinë ushtarake, është miratuar me të njëjtin akt normativ një paketë financiare e rëndësishme e cila siguron 3 elementë. E para shlyerja e të gjitha detyrimeve që kanë pasur ndër vite tre komplekset ushtarake në Poliçan, Gramsh dhe në Mjekës, I japim fund një kalvari shumë të gjatë me detyrime të pashlyera ndaj punonjësve dhe ish-punonjësve, njerëz që kanë një kontribut të çmuar në industrinë ushtarake”
Përveç shlyrjeve të detyrimeve ndaj punonjësve dhe ish-punonjësve, ministri Vengu u ndal dhe tek rijetëzimi i kompanisë shtetërore të prodhimit dhe tregtimit të municioneve ushtarake që do të sigurojë marrëveshje bashkëpunimi me investitorë të huaj nga vendet e Nato-s.
“Akti normative jep financimin e nevojshëm krijimit të kompanisë shtetërore për industrinë ushtarake, ligji hyri në fuqi para pak ditësh dhe tani kemi dhe paketën financiare që mundëson rijetëzimin e një kompanie shtetërore e cila do ketë të gjitha instrumentet ligjore dhe financiare për të hyrë në marrëveshje bashkëpunimi me investitorë të huaj nga vendet e Nato-s për të rijetëzuar këtë industry kaq të rëndësishme”
Nga rishikimi i buxhetit një pjesë e fondeve do shkojë për paketën financiare që do mbulojë sigurimin e jetës së forcave të armatoura në misionet jashtë vendit. Vendimi vjen si pasojë e rritjes së angazhimeve të vendit në misione që lidhen jo vetëm me Nato-n, por edhe me Bashkimin Europian.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.