Hungaria, me çmimin me të ulët të energjisë në Evropë – Politika e kufizimit të tarifave mbron konsumatorët nga kriza energjetike
Kristi Ceta/SCAN
Qytetarët hungarezë kanë paguar më së paku për gaz dhe energji elektrike në të gjithë Evropën në shtator, falë politikës së qeverisë për kufizimin e çmimeve të shërbimeve komunale, njoftoi komisioneri i qeverisë hungareze Szilard Nemeth.
Sipas tij, gazi natyror është katër herë më i shtrenjtë në Pragë, trefish në Varshavë, dy herë e gjysmë më shumë në Bratislavë dhe Bukuresht.
Duke marrë parasysh edhe vendet nordike si Suedia, Nemeth ka deklaruar se banorët e Stokholmit paguajnë 13 herë më shumë për gaz natyror sesa qytetarët e Budapestit.
Për sa i përket energjisë elektrike, konsumatorët çekë paguajnë katër herë më shumë, polakët gati dy herë e gjysmë më shumë, sllovakët dyfish dhe rumunët një herë e gjysmë më shumë se hungarezët.
Çmimin më të lartë të energjisë elektrike në Evropë e paguajnë qytetarët gjermanë dhe është gati katër herë e gjysmë më i lartë se në Budapest.
Vendimi i qeverisë hungareze për të kufizuar çmimet e shërbimeve komunale u prezantua në gusht 2012 dhe mbrojti me sukses familjet nga ndikimi negativ i krizës energjetike të shkaktuar nga lufta dhe sanksionet, sipas zyrtarëve vendas.
Në Hungari, tarifat e energjisë elektrike dhe gazit për familjet mbahen në të njëjtin nivel, kështu që kur kostot e transportit dhe shpërndarjes së furnizuesve rriten dhe duhet të pasqyrohen në tarifë, çmimi i energjisë ose gazit duhet të bjerë në të njëjtën kohë, që totali të mos ndryshojë.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.