“Gazës i duhen 350 vjet për t’u kthyer si më parë” – OKB thotë se lufta ka shkaktuar katastrofë “të paprecedentë” humanitare
Kristi Ceta/SCAN
Ekonomia e Gazës është lënë në “shkatërrim të plotë” nga lufta njëvjeçare midis Izraelit dhe Hamasit dhe do të duheshin 350 vjet për t’u rikthyer në nivelet para konfliktit, kanë paralajmëruar Kombet e Bashkuara.
Në një raport mbi kostot ekonomike të luftës, thuhet se aktiviteti ekonomik në të gjithë Gazën, i cili kishte qenë i dobët para luftës, ishte ndalur, përveç shërbimeve minimale humanitare shëndetësore dhe ushqimore të ofruara në kushtet e mungesës së rëndë të ujit, karburantit dhe energjisë elektrike.
Sektori i ndërtimit u ul me 96%, bujqësia me 93%, prodhimi me 92% dhe shërbimet me 76%. Ndërkohë, papunësia arriti në 81.7% në tremujorin e parë të 2024, një normë që OKB-ja tha se ka të ngjarë të përkeqësohet për aq kohë sa operacioni ushtarak vazhdon. “Operacionet intensive ushtarake në Gaza rezultuan në një katastrofë të paprecedentë humanitare, mjedisore dhe sociale dhe e çuan Gazën në shkatërrim të plotë”, thuhet në raport.
Sipas raportit, 12 muajt e fundit të veprimeve ushtarake kishin ndjekur një periudhë midis 2007 dhe 2022 kur ekonomia e Gazës ishte prekur rëndë nga kufizimet e vendosura nga Izraeli në lëvizjen e mallrave dhe njerëzve. Sipas vlerësimeve të raportit, në mungesë të këtyre kufizimeve, deri në fund të vitit 2023 vlerësohet se Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) i Gazës do të ishte mesatarisht 77.6% më i lartë se niveli aktual.
Në 9 muajt e parë të 2023, para fillimit të luftës, ekonomia e Gazës po tkurrej me një normë vjetore prej rreth 3%. Ajo u tkurr me 22.6% në vitin 2023 në tërësi, me 90% të kësaj rënieje në tremujorin e katërt.
Raporti thoshte se, deri në fund të korrikut 2024, 88% e objekteve shkollore kishin pësuar disa dëmtime, 21 nga 36 spitale ishin jashtë shërbimit dhe 45 nga 105 objekte shëndetësore parësore ishin jofunksionale. OKB-ja theksoi se në tremujorin e katërt të 2023, Gaza regjistroi rënien më të madhe ekonomike në dekadat e fundit, pasi Prodhimi i Brendshëm u tkurr me 80.8% krahasuar me tremujorin e tretë të 2023.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.