BE rrit tarifat për makinat elektrike kineze – Komisioni Evropian miraton taksa deri në 45% për të mbrojtur tregun vendas
Kristi Ceta/SCAN
Bashkimi Evropian ka vendosur të rrisë tarifat për automjetet elektrike të prodhuara në Kinë deri në 45.3% në fund të hetimit tregtar të profilit më të lartë që ka ndarë Evropën dhe ka shkaktuar hakmarrje nga Pekini.
Pak më shumë se një vit pas nisjes së hetimit kundër subvencioneve, Komisioni Evropian do të vendosë tarifa shtesë që variojnë nga 7.8% për Tesla në 35.3% për SAIC të Kinës, në krye të tarifës standarde të BE-së për importin e makinave prej 10%.
Tarifat shtesë u miratuan zyrtarisht dhe u publikuan në Gazetën Zyrtare të BE-së, që do të thotë se ato do të hyjnë në fuqi të mërkurën.
Komisioni, i cili mbikëqyr politikën tregtare të Unionit, ka thënë se tarifat kërkohen për të kundërshtuar subvencionet e padrejta, duke përfshirë financimin dhe grantet preferenciale, si dhe tokën, bateritë dhe lëndët e para me çmime me të ulëta në krahasim me tregun.
Ai thotë se kapaciteti rezervë i prodhimit të Kinës prej 3 milionë makinash elektrike në vit është dyfishi i madhësisë së tregut të BE-së. Duke pasur parasysh tarifat 100% në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada, mundësia më e mirë është Evropa.
“Pekini nuk pajtohet dhe nuk e pranon vendimin. Ne gjithashtu vumë re se BE do të vazhdojë të negociojë për ndryshimin e çmimeve,” tha Ministria e Tregtisë e Kinës, duke shtuar se vendi shpresonte të gjente një “zgjidhje të pranueshme për të dyja palët për të shmangur përshkallëzimin e fërkimeve tregtare”. Dhoma e Tregtisë e Kinës në BE tha se ishte thellësisht e zhgënjyer nga masa “proteksioniste” dhe “arbitrare” e bllokut.
Ndërkohë, Pekini nisi hetimet e veta këtë vit për importet e konjakut, qumështit dhe produkteve të derrit të BE-së, në shenjë hakmarrjeje.
Prodhuesit evropianë të automjeteve po përballen me një fluks të automjeteve elektrike me kosto më të ulët nga rivalët kinezë. Komisioni vlerëson se markat kineze në tregun e BE-së janë rritur në 8%, nga më pak se 1% në 2019, dhe mund të arrijnë në 15% në 2025. Ndërsa çmimet janë zakonisht 20% nën ato të modeleve të BE-së.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.