Cilat projekte të reja do të financohen nga buxheti? – Në 2025, 14,745 mld lekë për ndërtimin e Portit Tregtar të Integruar të Durrësit
Dorian Koça/SCAN
Në projektbuxhetin e shtetit për vitin e ardhshëm, krahas projekteve që kanë nisur, do të financohen edhe një sërë projektesh të reja. Ato përfshijnë disa sektorë si infrastuktura e mbrojtjes nga përmbytja, zhvillimi rural, mbështetje për peshkimin, ndërtim dhe sistemim rrugësh, projekte për transportin detar, arsimin, si dhe për ushtrinë.
Më i rëndësishmi ndër to, por edhe që do të thithë më shumë para’ nga arka e shtetit është faza e parë e ndërtimit të Portit të ri Tregtar të Integruar të Durrësit në Porto Romano. Për këtë projekt në total janë parashikuar 49,150 miliardë lekë, financim që do të shtrihet deri në vitin 2027. Por, për vitin e ardhshëm janë planifikuar 14,745 miliardë lekë.
Gara ndërkombëtare për ndërtimin e këtij porti detar u hap më 30 korrik të këtij viti dhe pritet që kontrata me kompaninë fituese që do të kryejë punimet të nënshkruhet në mars 2025. Ky port nuk do t’i shërbejë vetëm Shqipërisë, por edhe Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, pasi do të lidhet përmes hekurudhës me dy porte të thata në Prishtinë dhe Strugë.
Duke u rikthyer tek financimet e brendshme për projektet e reja vitin e ardhshëm, një shumë të konsiderueshme do të shkojnë për ato infrastrukturore. Risia është nisja e punimeve për ndërtimin e By-pass-it të Sarandës, faza e parë dhe e dytë. Në total, financimi do të jetë 3,4 miliardë lekë, ndërsa për vitin e ardhshëm do të disbursohen 680 milionë lekë.
Vitin e ardhshëm do të nisin punimet për ndërtimin e rrugës së re Kashar-Nyja e Vaqarrit, ku planifikohet të financohen për 2025-ën me 1,460 miliardë lekë. Pas hapjes për qarkullimin këtë vit të tunelit të Llogarasë, vitin ardhshëm janë planifikuar 320 milionë lekë për ndërtimin e rrugëve lidhëse me këtë aks.
Por, financime të reja në vlerë të lartë janë planifikuar edhe për forcat e luftimit, me qëllim modernizimin e ushtrisë shqiptare. Kështu, blerja e municioneve dhe armatimit të lehtë do t’i kushtojnë në total buxhetit mbi 11,5 miliardë lekë, ku për 2025-ën janë planifikuar rreth 960 milionë lekë. Nuk duhet harruar as kompletimi I forcave ajrore me helikopter UH-60 “Blackhawk”, ku vetëm për vitin e ardhshëm do t’i kushtojnë buxhetit të shtetit 570 milionë lekë.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.