Zgjerohet stoku i depozitave në sektorin bankar – Në 1 vit kursimet në lekë u rritën 14 herë më shumë se ato në euro
Armela Duka/SCAN
Gjatë muajit shtator, totali i depozitave në paranë e gjerë ka vazhduar të rritet, duke arritur në rreth 1.333 trilionë lekë nga 1.332 trilionë lekë që ishte në muajin e kaluar, raporton “Banka e Shqipërisë”. Kjo është rritja e tretë e këtij viti pas qershorit dhe gushtit, pasi që nga shkurti kishte filluar një tendencë rënëse.
“Scan Intel” ka analizuar shifrat për të kuptuar trendin e lëvizjes së kursimeve të kategorizuar sipas monedhës. Të dhënat për muajin e 9-të të këtij viti tregojnë se likuiditeti në monedhën vendase për sektorin bankar paraqitet me një rënie të lehtë prej 0.4% krahasuar me muajin paraardhës.
Ndërkohë, në monedhën europiane depozitat paraqiten me 0.5% rritje. Sa i përket depozitave në lekë, vlera e tyre arriti pranë 591 miliardë lekëve, nga 594 miliardë që regjistroheshin një muaj më parë. Nga ana tjetër, depozitat në valutë kanë prekur vlerën e 741 miliardë lekëve .
Analiza e shifrave në harkun kohor të një viti tregon se kursimet në lekë në shtatorin e vitit 2024 janë rritur me 8.9 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa kursimet në monedhë të huaj janë rritur me vetëm 0.6% ose me 5 miliardë lekë.
Pra, vëmë re se rritja e depozitave në lekë ka qenë shumëfish më e lartë se ajo në euro dhe kjo mund të shpjegohet me faktin që monedha lekë gjatë kësaj periudhe ka qenë më e fortë se euro duke bërë që individët dhe bizneset të zgjedhin te depozitojnë paratë e tyre në monedhën vendase.
Rritja e depozitave bankare në lekë gjatë këtij muaji mund të jetë edhe si rezultat i nivelit të inflacionit, i cili është paraqitur në nivele të qëndrueshme duke rritur kështu aftësinë e familjeve për të kursyer.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.