Shqipëria, rritjen më të lartë të vizitorëve në Europë – Barometri, Rama: “Medalje e artë” edhe për arkëtimet nga turizmi
Elisabeta Dosku/ SCAN
Shqipëria kryeson në klasifikimin europian për rritjen më të lartë të vizitorëve ndërkombëtarë dhe renditet e dyta në botë pas Katarit të Kupës së Botës. Përmes një postimi në rrjete sociale, Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se ky certifikim ndërkombëtar për këtë vit turistik vjen nga Barometri i Organizatës Botërore të Turizmit.
Ndërsa shton se një “medalje e artë” i akordohet Shqipërisë edhe sa i takon arkëtimeve nga turizmi, me rritjen më të lartë krahasuar me periudhën e para pandemisë.
Kryeministri Rama shkruan se “9,7 milionë vizitorë të huaj nga janari në shtator të vitit 2024 dhe një diversitet i larmishëm tregjesh turistike në rritje, janë tregues të qëndrueshëm, por të sigurt se Shqipëria do të vazhdojë t’i mbushë muret me certifikata të tilla suksesesh ndërkombëtare, që përkthehen në më shumë të ardhura për bizneset, punësim për familjet dhe imazh pozitiv ndërkombëtar për Shqipërinë tonë, që as mund të imagjinohej pak vite më parë”.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se rritja vjetore e shtetasve të huaj që kanë hyrë në Shqipëri në 9 mujor regjistrohet në 16.7%.
Shifrat e shtatorit tregojnë se rezultojnë të kenë hyrë, në territorin e Republikës së Shqipërisë, 1.7 milionë shtetas shqiptar dhe të huaj. Ky tregues ka shënuar një rritje me 8.7%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.
Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është rreth 1.14 milionë. Ky numër është rritur me 3.8%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.
Shifrat e Shtatorit thonë se rreth 95% e hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri janë nga rajoni i Europës. Europa Jugore zë 69% të hyrjeve të shtetasve të huaj nga kontinenti Europian, ndjekur nga Europa Perëndimore me 12%.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.