Shqipëria do të ketë forcën e saj rezerviste – Ministri Vëngu: Fond 15.5 mln euro nga buxheti për vitin 2025
Diamila Leka/Scan
Në mbledhjen e radhës së Këshillit të Ministrave, është miratuar projektligji “Për funksionimin dhe organizimin e forcës rezerviste”. Në një deklaratë për mediat, ministri i Mbrojtjes Pirro Vëngu, theksoi se që nga janari i vitit 2025 do të nisin dhe hapat e parë për formimin e forcës rezerviste.
“Në kuadër të detyrimeve dhe standardeve të NATO-s dhe sfidave të reja të sigurisë, ka lindur nevoja që të konsiderojmë krijimin dhe organizimin e forcës së rezervistëve në Republikën e Shqipërisë. Kjo i jep një mundësi ushtarakëve aktivë, që kanë vendosur që të zhvillojnë karrierën në privat, në funksione me teknicitet të lartë, u japim mundësinë të kthehen në FA me misione specifike, me detyrime që mund të mbulojnë misionet paqeruajtëse, misionet në kuadër të angazhimit në NATO apo rajon”.
Ndërkohë nga buxheti i vitit 2025, do të jetë një fond prej 15.5 milionë eurosh dedikuar forcës së rezervistëve.
“Që nga hyrja në fuqi e këtij projektligji dhe mbështetjen e Parlamentit, synojmë që fillim viti të na gjejë me hapet e para të formimit të forcës së rezervistëve. Kemi një mbështetje të dedikuar në buxhetin 2025 prej 15.5 mln euro të dedikuar dhe një angazhim të mëtejshëm në vite në vijim”.
Sipas ministrit, të gjitha vendet e NATO-s kanë forcë rezerviste dhe kjo është një mënyrë që Forcat e Armatosura të kenë një gamë më të gjerë personeli në dispozicion.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.