Transport falas për nxënës e mësues në zonat rurale – Pr.buxheti 2025: Synohet aksesueshmëri në arsim
Ernilda Luzi/ Scan
Për të garantuar një arsim cilësor dhe të aksesueshëm për çdo fëmijë, qeveria po ndërmerr hapa të rëndësishëm për të lehtësuar udhëtimin e përditshëm të nxënësve që jetojnë në zonat rurale, ku çdo ditë u duhet të përshkojnë distanca të largëta për të mbërritur në shkollë.
Në kuadër të planifikimit për përmirësimin e shërbimeve dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së të rinjve, në projektbuxhetin për vitin 2025, thuhet se do të mbulohen shpenzimet e transportit për rreth 33,000 fëmijë dhe nxënës që kanë vendbanimin e tyre mbi 2 km nga shkolla.
Njëkohësisht, do të përfitojnë rreth 17.300 mësues që punojnë mbi 5 km nga vendbanimi, apo qendra e përhershme e punës në shkollë.
Ministria e Arsimit dhe Sportit do të vijojë zhvillimin e reformave në arsim. Në projektbuxhetin për vitin e ardhshëm theksohet, se qeveria synon të rrisë aksesin për fëmijët e moshës 3-6 vjeç, duke e çuar atë në 82% deri në vitin 2027; të rritet dhe përqindja e nxënësve që ndjekin arsimin e mesëm publik nga 82% në vitin 2024 në 85% në vitin 2027.
Po kështu synohet që rreth 16 mijë nxënës të arsimit të mesëm të lartë t’u sigurohen tekstet shkollore falas (klasa 10 deri në klasën 12) çdo vit përgjatë 2024-2027.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.