Në 9 muaj u prodhua më pak energji – Shirat nuk favorizojnë gjenerimin vendas, konsumi në rritje
Ola Mitre / SCAN
Prodhimi i energjisë pësoi rënië gjatë 9-mujorit të këtij viti, në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas të dhënave nga Enti Rregullator i Energjisë, në total për periudhën janar – shtator nga të gjitha burimet gjeneruese në vend u prodhua rreth 5.9 mln mWh energji apo 0.8 mln mWh energji më pak se 9-mujori i vitit të kaluar kur u prodhua rreth 6.7 mln mWh.
Masa e prodhimit është në varësi të kushteve hidrike, çka do të thotë se viti aktual nuk ka qenë shumë i favorshëm në këtë drejtim.
Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka prodhuar rreth 56% të sasisë totale.
Përveç 3 hidrocentraleve të Kaskadës së Drinit, pjesë e kësaj sasie është edhe energjia e prodhuar nga centrali diellor në Karavasta, sipas kontratës së lidhur mes palëve, si dhe impianti diellor i Qyrsaqit.
Ndërkaq, për periudhën 9-mujore konsumi ka shënuar rritje të lehtë në raport me periudhën janar – shtator 2023, duke arritur në rreth 6 mln mWh, nga 5.9 mln mWh që ishte vjet.
Niveli i humbjeve në rrjetin e shpërndarjes për 9 – mujorin e parë të këtij viti u regjistrua në 17.23%, apo 1.53 % më pak se e njëjta përiudhë e vitit 2023, kur përllogariteshin në 18.76%.
Ndërkohë që niveli i arkëtimeve përllogaritet në masën 98.7%.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.