500 milionë lekë më shumë për ujësjellësit – Financimi i brendshëm në 2025 shkon në 11.3 mld lekë, 10% e investimeve totale
Ola Mitre / SCAN
Mbështetja buxhetore për sektorin e ujësjellës – kanalizimeve do të pësojë rritje gjatë vitit që vjen. Sipas projektbuxhetit 2025, investimet publike me financim të brendshëm për këtë sektor parashikohen në 11.3 mld lekë, apo 0.5 mld lekë më shumë se viti 2024.
Kjo shifër përbën rreth 10% të buxhetit të total të parashikuar për investime. Paralelisht, janë edhe 2.2 mld lekë investime në ujësjellës e rrejt kanalizimesh, ku përfshihen grantet dhe kreditë e marra. Sipas listës së detajuar, gati gjysma e kësaj vlere është grant.
Projektet me financim të brendshëm janë kryesisht vazhdim i viteve të kaluar, duke marrë parasysh se gjatë vitit 2024 nisi financimi për një numër të konsiderueshëm ndërhyrjesh. Ndërkohë që pjesë e listës janë bërë edhe disa projekte të rinj, por që për këtë vit pjesa më e madhe e tyre nuk janë financuar.
Zgjerimi i aksesit dhe cilësisë së shërbimit të ujit të pijshëm dhe kanalizimeve është një nga priortietet e sektorit të infrastrukturës, sipas relacionit që shoqëron projektbuxhetin 2025. Kjo, përmes një portofoli të investimeve publike dhe përmirësimit rrënjësor të menaxhimit të shoqërive aksionere të ujësjellës kanalizimeve, duke standardizuar parimet e qeverisjes së sektorit.
Po ashtu, sipas relacionit orët mesatare të furnizimit me ujë të pijshëm synohet të rriten në 20 orë/ditë në vitin 2027 nga 18 orë/ditë në vitin 2025. Ndërsa në zonat bregdetare synohet të arrihet në 22 orë/ditë në vitin 2027 nga 20 orë/ditë në vitin 2025.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.