KESH do të ndërtojë central fotovoltaik në Zadejë – Kapaciteti do të jetë 8.25 MW. Afati i ndërtimit brenda 3 viteve
Diamila Leka/ Scan
Një tjetër central gjenerues i energjisë elektrike fotovolatike do të ndërtohet në digën e Zadejës në Vaun e Dejës, nga Korporata Elektroenergjitike Shqiptare.
Referuar vendimit të miratuar nga Këshilli i Ministrave, kapaciteti i instaluar do të jetë 8.25 MW, ndërsa koha për ndërtimin dhe pajisjen me lejen e ndërtimit dhe vënien në operim të impiantit do të jetë brenda 36 muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, ndërsa afati i operimit do të jetë për 49 vjet.
Ndërkohë, nga nisja e ndërtimit të këtij centrali, ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, kanë të drejtë të ushtrojnë mbikëqyrje të përgjithshme me afate 3-mujore gjatë realizimit, vënies në punë dhe operimit, me synim që të verifikojnë se ecuria e punimeve, cilësia, konformiteti dhe operimi janë në përputhje me programin e përgjithshëm të realizimit dhe të dokumentacionit të projektit.
Por Korporata Elektroenergjitike Shqiptare, sh.a., ka detyrime duke nisur nga dhënia e informacioneve në mënyrë periodike çdo tre muaj pranë ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore për ecurinë e ndërtimit të centralit fotovoltaik.
Gjithashtu, të dorëzojë sigurimin e kontratës, në masën jo më pak se 5% të vlerës së investimit, përpara nënshkrimit të kontratës, ndërmjet shoqërisë KESH, sh.a., dhe ministrisë. Në këtë kontratë përcaktohen të drejtat dhe detyrimet e palëve për realizimin e këtij projekti, penalitetet, në rast mosrealizimi, si dhe çështje të tjera që lidhen me zbatimi.
Dhe një ndër detyrimet është dhe t’i japë falas, ministrisë përgjegjëse për energjinë sasinë e energjisë elektrike, në masën 2 % të sasisë vjetore të prodhimit të energjisë elektrike ose konvertimin e saj në vlerë monetare. Në rast konvertimi në vlerë monetare, shuma duhet të derdhet tërësisht në buxhetin e shtetit.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.