Forumi i rojës bregdetare/ Porto Romano, Balluku: Aspirojmë të kthehet një nga bazat më të rëndësishme të NATO-s në të ardhmen!
Në Tiranë po mbahet për herë të parë Forumi i Funksioneve të Rojës Bregdetare Mesdhetare, një shprehje e vëmendjes së veçantë nga Komisioni Europian në drejtim të hapësirës Adriatiko-Joniane, ku Shqipëria synon të rrisë kontributin e saj në sigurinë kolektive.
Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku në fjalën e saj në punimet e forumit, tha se teksa Komisioni i ri pritet të nisë punën, është evidente vigjilenca e shtuar ndaj dimensionit mesdhetar dhe Shqipëria e mbështet fuqishëm këtë përpjekje.
Tema kryesore e Forumit të këtij viti është: “Sfidat e reja në Detin Mesdhe mes ekonomisë blu, tranzicionit ekologjik dhe funksionet e Rojës Bregdetare”.
“Të tri këto kolona kanë një rëndësi të veçantë padyshim duke pasur parasysh ekonominë blu dhe kontributin e saj në të gjitha ekonomitë e vendeve, të cilat lagen nga Deti Mesdhe. Faktin e tranzicionit ekologjik që tashmë mjedisi zë një rol të rëndësishëm në politikat e të gjithë shteteve europiane, ashtu dhe shteteve të cilat aspirojnë që të bëhen pjesë e Bashkimit Europian dhe padyshim çka është më e rëndësishmja ka të bëjë me ligjzbatimin”, deklaroi Balluku.
Në këtë kontekst, theksoi ajo, Roja Bregdetare duhet të përshtatet dhe të pajiset më instrumentet e duhur të cilat nisin nga rregullatori, në instrumentet financiarë dhe ato teknologjikë, por pa harruar ngritjen e kapaciteteve njerëzore.
Shqipëria, në kuadër të integrimit europian, u shpreh ajo, po realizon përafrimin e rregulloreve dhe legjislacionit të Rojës Bregdetare me ato të standardeve të Bashkimit Europian, të FRONTEX.
Zv/kryeministrja vuri në dukje se qeveria po kryen investime të rëndësishme në disa prej porteve të vendit.
Ajo përmendi ndërtimin e portit të ri në Porto-Romano, i cili tashmë ndodhet në fazën e garës ndërkombëtare. Sipas saj, interesi për ndërtimin e këtij porti është i jashtëzakonshëm dhe nga kompani europiane, pasi Shqipëria, tha Balluku, është e qartë në qëndrimet e saj me aleatët.
“Ne kurrë nuk kemi luajtur me paqartësi bashkëpunimi diplomatik, por kemi qenë të qartë në qëndrimet tona, kështu që investimet në Republikën e Shqipërisë në infrastrukturat kritike janë gjithmonë të mirëpritura nga aleatët tanë, apo edhe nga shtetet europiane”, deklaroi ajo.
Ky port, theksoi Balluku, synon jo vetëm të akomodojë volumet tregtare, por në aspiratat tona është që të kthehet dhe një nga bazat më të rëndësishme të NATO-s në të ardhmen. Më tej, Balluku tha se një port tjetër po ndërtohet në një zonë shumë strategjike, si për turizmin, ashtu edhe për sigurinë kombëtare të Vlorës.
“Porti i Triportit, dikur një port peshkimi, i cili po kthehet në një port tregtar modern, të rëndësishëm, ku do të integrohen një sërë procesesh të industrisë detare, apo edhe njësi të tjera të marinave komerciale që do të shtrihen përgjatë gjithë bregdetit shqiptar”, deklaroi Balluku. Këto, sipas saj, janë tregues i qartë i sfidave të reja që duhet të adresojë tashmë Roja Bregdetare dhe Forca jonë Detare.
“Zbatimi i ligjit në det për Shqipërinë është një sfidë, jo vetëm për shkak të angazhimit tonë në negociatat për t’u bërë anëtarë të Bashkimit Europian, por edhe për faktin që Shqipëria tashmë luan një rol të rëndësishëm rajonal, në të gjithë zonën e Mesdheut dhe nga ana tjetër është kthyer një nga vendet më atraktive për turizmin mesdhetar,” shtoi ajo.
Fjala e Zëvendëskryeministres, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku në Forumin e Funksioneve të Rojës Bregdetare Mesdhetare
Përshëndetje të gjithëve.
Mirë se keni ardhur në Shqipëri. Për mua është një nder i veçantë që këtu sot, me ftesën e Ministrit të Mbrojtjes, zotit Vëngu, të marr pjesë në këtë Forum kaq të rëndësishëm për ligjzbatimin në det që për Shqipërinë tashmë është një sfidë, jo vetëm për shkak të angazhimit tonë në negociatat për t’u bërë anëtarë të Bashkimit Euriopian, por edhe për faktin që Shqipëria tashmë luan një rol të rëndësishëm rajonal, në të gjithë zonën e Mesdheut dhe nga ana tjetër është kthyer një nga vendet më atraktive për turizmin mesdhetar, sidomos gjatë vitit 2022, 2023 dhe 2024.
Është gjithmonë kënaqësi e veçantë kur na jepet mundësia që të mirëpresim në Shqipëri aktivitete të këtyre përmasave dhe veçanërisht kur vjen puna për të vendosur piketat e bashkëpunimit të mëtejshëm mes strukturave tona ligjzbatuese, sidomos në hapësirën kaq jetike për ne, Detin Mesdhe.
Fakti që konferenca e Rojeve Bregdetare të Mesdheut zhvillohet për herë të parë në Shqipëri është padyshim një shprehje e vëmendjes së veçantë nga Komisioni Evropian në drejtim të hapësirës Adriatiko-Joniane, ku Shqipëria synon të rrisë kontributin e saj në sigurinë kolektive.
Teksa Komisioni i ri pritet të nisë punën, është evidente vigjilenca e shtuar ndaj dimensionit mesdhetar dhe Shqipëria e mbështet fuqishëm këtë përpjekje.
Tema kryesore e Forumit të këtij viti është impenjative: “Sfidat e reja në Detin Mesdhe mes ekonomisë blu, tranzicionit ekologjik dhe funksionet e Rojës Bregdetare”. Sigurisht të treja këto kolona kanë një rëndësi të veçantë padyshim duke pasur parasysh ekonominë blu dhe kontributin e saj në të gjitha ekonomitë e vendeve të cilat lagen nga Deti Mesdhe. Faktin e tranzicionit ekologjik që tashmë mjedisi zë një rol të rëndësishëm në politikat e të gjithë shteteve europiane, ashtu dhe shteteve të cilat aspirojnë që të bëhen pjesë e Bashkimit Europian dhe padyshim çka është më e rëndësishmja ka të bëjë me ligjzbatimin. Ligjzbatimin në territoret detare ku padyshim risqet hibride shtohen çdo ditë dhe më shumë.
Në këtë kontekst Roja Bregdetare duhet të përshtatet dhe të pajiset më instrumentet e duhur të cilat nisin nga rregullatori, në instrumentet financiarë dhe ato teknologjikë, por pa harruar çka është më e rëndësishmja ngritjen e kapaciteteve njerëzore që për ne, për Qeverinë Shqiptare, mbetet një nga asetet më të rëndësishme.
Rruga që ka zgjedhur Shqipëria është ajo e një reforme përmes integrimit të funksioneve ligjzbatuese në det, duke synuar që Roja Bregdetare të marrë një rol qendror. Kjo për të rritur efiçencën ekonomike të investimeve tona, por gjithashtu me bindjen se nuk ka personel më të kualifikuar për të kontrolluar zbatimin e ligjit në det se sa forcat që dalin nga gjiri i Forcës Detare.
Për të thënë të drejtën ne kemi kohë që e kemi nisur një punë parapërgatitore për këtë reformë të thellë detare dhe mbi të gjitha sigurisht që jemi bazuar mbi praktikat më të mira të vendeve fqinje me ne apo vendeve që lagen nga Deti Mesdhe që nga ana tjetër kanë një trashëgimi në menaxhimin e detit qindra vite do të thoja, ashtu siç është Greqia apo Italia.
E kemi evidentuar rëndësinë dhe nevojën e integrimit të kapaciteteve dhe nevojën e një bashkëpunimi civil-ushtarak përgjatë bashkëpunimit shumë të mirë që ka pasur mes Policisë Kufitare dhe Rojës Bregdetare me FROTEX, Agjencinë Evropiane të Rojës Kufitare dhe Bregdetare, e cila mbështet shtetet anëtare të BE-së, por edhe vendet anëtare të Shengenit në menaxhimin e kufijve të jashtëm të Bashkimit Europian si dhe në luftën kundër krimit ndërkufitar.
Vlen të përmend gjithashtu faktin që Shqipëria, në kuadër të integrimit evropian, po realizon përafrimin e rregulloreve dhe legjislacionit të Rojës Bregdetare me ato të standardeve të Bashkimit Europian, të FRONTEX.
Investimet tona të rëndësishme në disa prej porteve të vendit dhe dua të përmend këtu planin tonë, që tashmë ka nisur të realizohet, për ndërtimin e një porti të ri në zonën e Durrësit, një port modern, quhet porti i Porto-Romanos, i cili tashmë ndodhet në fazën e garës ndërkombëtare dhe ku ne krenarisht mund të themi që interesi për ndërtimin e këtij porti është i jashtëzakonshëm dhe nga kompani europiane, pasi Shqipëria është e qartë në qëndrimet e saj me aleatët. Ne kurrë nuk kemi luajtur me ambiguitetin e bashkëpunimit të diplomacisë, por kemi qenë të qartë në qëndrimet tona, kështu që investimet në Republikën e Shqipërisë në infrastrukturat kritike janë gjithmonë të mirëpritura nga aleatët tanë, apo edhe nga shtetet europiane.
Kështu që në këtë garë, ne kemi nisur këtë proces, kemi evidentuar kompani të mëdha europiane të cilat do të vijnë për të investuar bashkërisht në vendin tonë për ngritjen e një nga porteve më moderne në zonën e Durrësit, i cili synon jo vetëm të akomodojë volumet tregtare, por në aspiratat tona është që të kthehet dhe një nga bazat më të rëndësishme të NATO-s në të ardhmen.
Gjithashtu do të përmendja edhe një port tjetër, i cili po ndërtohet në ndërkohë në zonën shumë strategjike do të thoja, si për turizmin, ashtu edhe për sigurinë kombëtare të Vlorës. Porti i Triportit, dikur një port peshkimi, i cili po kthehet në një port tregtar modern, të rëndësishëm, ku do të integrohen një sërë procesesh të industrisë detare, apo edhe njësi të tjera të marinave komerciale që do të shtrihen përgjatë gjithë bregdetit shqiptar. Mbi të gjitha këto janë tregues i qartë i sfidave të reja që duhet të adresojë tashmë Roja Bregdetare dhe Forca jonë Detare.
Siç e thashë dhe në hyrje të fjalës bashkëpunimi midis partnerëve është çelësi i suksesit për arritjen e objektivave dhe rezultateve sa më të mira, ndaj dhe Qeveria Shqiptare, si dhe të gjitha strukturat qendrore në vend, përfshirë këtu Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë do të jenë në vijimësi të hapura dhe të angazhuara për të forcuar bashkëpunimin midis dy palëve apo disa palëve të përfshira në këtë proces të rëndësishëm.
Në mbyllje të fjalës time, sigurisht duke dalë pak nga kostumi zyrtar i hapjes të këtij Forumi, i cili ka ditën e dytë të zhvillimit, do t’ju ftoja të gjithëve që me ndihmën e Ministrit të Mbrojtjes dhe të stafit të tij, që do të thoja që është një nga stafet më të mira në performancë, ta vizitoni Tiranën për aq sa keni mundësi, sepse Tirana është një shembull i Shqipërisë dhe është një shembull i ndryshimit radikal që vendi ynë ka pësuar në dekadat e fundit për t’ju përafruar Europës, jo vetëm përsa i përket rregulloreve dhe legjislacionit, por mbi të gjitha lirisë, demokracisë, ligjit, zbatueshmërisë së tij padallim dhe akomodimit të një jetese më të mirë për qytetarët tanë, duke reflektuar kështu një vend të sigurt për vizitorët, për turistët, për investitorët dhe për të gjithë miqtë e Shqipërisë.
Zoti ka qenë bujar me ne në gjithçka që na ka dhënë në natyrë, në talentin tonë të mikpritjes dhe kemi qenë disi të keqtrajtuar nga perceptimi më shumë se nga realiteti në vendin tonë. Por perceptimi ka ndryshuar falë të gjithë reformave dhe falë ndihmës së Bashkimit Europian, kështu që do të desha sot që në përfundim të këtij Forumi ju të gjeni mundësinë për të vizituar një qytet i cili nuk ka asnjë lidhje me perceptimin dhe realiteti me të vërtetë do t’ju impresionojë.
Shumë faleminderit për vëmendjen!
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.