Afrimi i stinës së reshjeve sjell “vërshim” tenderash – Projekte rehabilitimi në Tiranë, Krujë, Shkodër, Lezhë e Fier
Afrimi i stinës së reshjeve të shiut është shoqëruar edhe nga shtimi i tenderëve për masat mbrojtëse. Në Agjencinë e Prokurimeve Publike ditët e fundit janë shpallur disa tendera që kanë në fokus masa mbrojtëse në sistemet e ujitjes dhe kullimit si dhe tendera për përforcime digash të liqeneve.
Veç tenderit të shpallur nga Bashkia e Tiranës për realizimin e një studimi për rehabilitimin e digave të 38 rezervuareve, edhe Bashkia e Krujës ka shpallur një tender të ngjashëm.
Me një fond limit 2.9 milionë lekë, Bashkia e Krujës ka shpallur tenderin për shërbimin e mirëmbajtjes për 4 rezervuarët që janë nën administrimin e saj. Tenderi parashikon rehabilitimin e rezervuarëve Verjon, Dollakë, Micjanë dhe Leka në zonën e Krujës.
Një ditë më parë, u shpallën 4 tendera të tjerë me një vlerë totale 300 mijë euro për përmirësimin dhe rehabilitimin e 11 pikave me rrezik të lartë përmbytje. Katër projektet e shpallur parashikonin përmirësimin e rehabilitimin për Drejtoritë e Ujitjes dhe Kullimit në Lezhë, Fier, Korçë dhe Durrës.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.