Tender “anti-përmbytje” për Tiranën – Studim e rikonstruksion digave të 38 rezervuareve
Në territorin e Bashkisë së Tiranës ndodhen 38 rezervuare, me diga që variojnë me lartësi nga 16 deri në 30 metra. Këto vepra ujore janë ndërtuar nga vitete 1965 deri në vitin 1980. Problematikat kryesore të tyre janë mosha e madhe e digave ekzistuese, rritja e popullsisë në zonat poshtë digave që janë në rrezik dhe duhet patjetër të merren masat si dhe ndryshimet klimaterike që kanë krijuar situata të ndryshme hidrologjike.
Në këto kushte, Bashkia e Tiranës ka shpallur një tender me fond limit 47,8 milionë lekë për të realizuar studimin dhe projektimin për rikonstruksionin e Digave dhe veprave të shkarkimit të rezervuarëve.
Problemet që lidhen me moshën e digave konsistojnë në kurorat e digave që kanë çedime gjatë të gjithë gjatësise së tyre, ka rrëshqitje në pjesën e brendshme të skarpatave të tyre si dhe rrëshqitje gjatë të gjithë skarpateve së jashme në pjesën më të madhe si dhe parametrat teknikë të qëndrueshmërisë paraqesin problematika për sigurinë e tyre.
“Duke patur parasysh rritjen e popullatës në zonën poshtë digave mungojnë shkarkuesit katastrofik sipërfaqësor në raste të shirave apo përmbytjeve” shkruhet në dokumentet e tenderit.
Ky projekt synon rehabilitimin, përmirësimin e skemave te kullimit të ujitjes dhe mbrojtjes nga përmbytjet, me qëllim rritjen e aftësisë ujitëse,kulluese aktuale dhe marrjen e masave për eleminimin e përmbytjeve në sezonin e dimrit. Studimi do të marrë parasysh edhe kanalizimet e ujërave të zeza të kryeqytetit, që sa herë ka reshje shiu krijojnë përmbytje të rrugëve të qytetit duke krijuar problematika madhore, jo vetëm për qarkullimin e automjeteve.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.