Aramco paralajmëron Europën – “Planet për krizën energjetike janë vetëm një zgjidhje afatshkurtër”
Kreu i gjigantit shtetëror saudit të naftës Aramco, u shpreh se planet e Europës për mbrojtjen e konsumatorëve përballë faturave të larta të energjisë si dhe taksat ndaj kompanive të energjisë nuk janë zgjidhje afatgjate apo të frytshme për krizën globale të energjisë.
Kreu ekzekutiv Amin Nasser, u shpreh gjatë një forumi në Zvicër se ngrirja apo kufizimi i faturave të energjisë mund të ndihmojë konsumatorët për një kohë të shkurtër, por nuk drejtohet rreth shkaqeve reale dhe nuk është një zgjidhje afatgjatë. Ai shtoi se taksimi i kompanive të energjisë në një kohë që kërkohet rritja e prodhimit të tyre, gjithashtu nuk është aspak një ndihmë.
Qeveritë në Europë kanë grumbulluar qindra miliarda euro në ulje taksash, ndihmash dhe subvencionesh për t’u përballur me një krizë energjitike që po rrit inflacionin, duke i detyruar industritë që të ndërpresin prodhimin për të shmangur faturat e larta dimrit.
Sipas planeve të Bashkimit Europian të prezantuara një javë më parë, fitimet e tepërta të kompanive të energjisë do të shpërndahen për të lehtësuar barrën e konsumatorëve.
Nasser, i cili kryeson eksportuesin më të madh në botë të naftës, tha se vazhdimi i nën-investimit në sektorin e hidrokarbureve në një kohë kur alternativat ndaj lëndëve djegëse fosile nuk ishin ende të gatshme, ishte ndër shkaqet kryesore të problemit. Ai theksoi se konflikti në Ukrainë sigurisht që ka intensifikuar efektet e krizës energjetike, por nuk është shkaku kryesor. Sipas tij dhe sikur konflikti të përfundonte sot, kriza nuk do të mbaronte.
Aramco ka investuar për të rritur kapacitetin e naftës të mbretërisë në 13 milionë fuçi në ditë deri në vitin 2027, por Nasser paralajmëroi se investimet globale në hidrokarbure ishin ende, “shumë pak, shumë vonë dhe shumë afatshkurtra”. Sipas tij mungesa e investimit vjen në një kohë kur kapaciteti i lirë është i pakët dhe kërkesa konsiderohet “mjaft e shëndetshme” pavarësisht nga erërat e forta ekonomike.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.