Ari, i qëndrueshëm pranë 2,050 USD – Tregjet presin punësimin në SHBA, pritet ngadalësim në nëntor
Tregu i metaleve të çmuara i është rikthyer fitimeve modeste në sesionin e sotëm, për shkak të dobësimit të dollarit amerikan dhe rënies së yield-it të obligacioneve amerikane.
Investitorët po tregohen të kujdesshëm, në pritje të të dhënave mbi punësimin në SHBA, që do të publikohet të premten, të cilat do të japin një panoramë më të qartë mbi vendimet që do të marrë Rezerva Federale. Ari po tregtohet pranë 2050 dollarëve për onz, ndërsa argjendi po tregtohet në rreth 24.2 dollarë për onz.
Yield-i i obligacioneve 10-vjeçare amerikane ra në nivelin më të ulët në 3 muajt e fundit, ndërsa indeksi që mat ecurinë e dollarit ka humbur rreth 0.3% të vlerës në sesionin e sotëm, duke e bërë arin më pak të shtrenjtë për zotëruesit e monedhave të tjera.
Të dhënat e publikuara më herët gjatë kësaj jave, treguan një ftohje graduale të tregut të punës në SHBA, me vendet e reja të punës që ranë në nivelin më të ulët në 2 vite e gjysmë. Në qendër të vëmendjes tashmë do të jenë të dhënat zyrtare mbi punësimin për nëntorin, që do të publikohet të premten dhe vijnë përpara se Rezerva Federale të mblidhet më 12 dhe 13 dhjetor, për të përcaktuar politikat monetare.
Komentet e fundit nga zyrtarët e Rezervës Federale dhe disa të dhëna ekonomike më të dobëta se sa pritej, shtuan pritshmëritë se normat e interesit në SHBA kanë arritur kulmin dhe banka qendrore mund të fillojë t’i ulë ato në fillim të vitit të ardhshëm. Tregtarët po vlerësojnë 60% mundësi që Rezerva Federale të ulë normat e interesit në mars të vitit të ardhshëm.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.