Bashkitë dështojnë në një tjetër detyrë – “Frenuan” projektet publike me rëndësi kombëtare
61 bashkitë në vend shfaqin shumë problematike sa i takon përmbushjes së detyrave të vendosura me ligj, siç është rasti i administrimit të taksës së pasurisë, por jo vetëm. Një raport i publikuar së fundmi, mbi monitorimin e menaxhimit të financave publike, thekson se problematika janë hasur edhe sa i takon investimeve publike.
Raporti citon se “sa i përket komponentit të Planifikimit dhe Mbikëqyrjes së Investimeve Publike, objektivi për të mirëmbajtur Listën Unike të Projekteve me Rëndësi Kombëtare u arrit, megjithatë disa nga sfidat e hasura ishin mungesa e ekspertizës nga njësitë e qeverisjes qendrore për të siguruar informacionin e duhur në procesin e plotësimit të projektpropozimeve të përcaktuara në VKM 887, datë 27.12.2022 dhe mungesa e raportimit në kohë nga institucionet e qeverisjes qendrore në procesin e përditësimit të statusit të projekteve ekzistuese në Listën Unike të Projekteve me Rëndësi Kombëtare.”
Lista Unike e Projekteve me rëndësi kombëtare është cilësuar një instrument shumë i rëndësishëm për filtrimin e projekteve të investimeve publike, ku një hallkë të rëndësishëm të zinxhirit që mesa duket nuk ka luajtur rolin e duhur, e përbëjnë bashkitë.
Po ashtu përsa i përket treguesit të performancës “Zhvillimi i metodologjisë dhe mjetet e prioritizimit në fuqi” që synon rritjen e cilësisë së propozimeve madhore të investimeve publike që dërgohen për aprovim, objektivi i produktit nuk është arritur ashtu sikurse ishte planifikuar. Sipas raportit, Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC) në bashkëpunim me asistencën teknike të BE-së ka zhvilluar metodologjinë për të vlerësuar Relevancën Strategjike të propozimeve të projekteve të investimeve dhe Formularët e Vlerësimit të Rëndësisë Strategjike për 6 sektorët kryesorë të ekonomisë.
Elisabeta Dosku / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.