BE, 150 mln euro për ruajtjen e karbonit në Greqi – Impianti synon të grumbullojë deri në 2.5 milionë CO2 në vit
Kristi Ceta/SCAN
Komisioni Evropian ka aprovuar një paketë ndihme shtetërore greke prej 150 milionë eurosh për ndërtimin e një objekti që do të ruajë karbonin në det të hapur, midis Prinos dhe Kavalës.
Projekti Prinos Capture and Storage, i zhvilluar nga EnEarth, një degë e Energean, ka për qëllim ruajtjen e dioksidit të karbonit nga industritë vendase, si dhe nga shtetet e tjera. Investimi është në listën e projekteve me interes të përbashkët të Bashkimit Evropian.
Granti do të mbulojë rreth 90% të hendekut të financimit, tha Komisioni Evropian. Ai u miratua përmes Institucionit të Rimëkëmbjes dhe Rezistencës së BE-së dhe Planit Kombëtar të Rimëkëmbjes dhe Rezistencës Greqi 2.0. Nëse projekti rezulton i suksesshëm, duke gjeneruar të ardhura neto shtesë, përfituesi do të kthente një pjesë të ndihmës në Greqi.
Objekti është planifikuar të ndërtohet në dy faza, ku e para do të përfitojë nga paketa e re. Fillimisht, EnEarth synon të instalojë një tubacion për të transportuar, nga vendi i grumbullimit në tokë në vendin e depozitimit në det, deri në një milion tonë dioksid karboni në vit.
Impianti pritet të fillojë fazën e zhvillimit në vitin 2027 dhe të bëhet plotësisht funksional në vitin 2030. Një zgjerim do të pasojë, në fazën e dytë, që do të grumbullojë deri në 2.5 milionë tonë në vit. Kostoja totale llogaritet në rreth 1 miliard euro.
Shumë industri të mëdha greke kanë marrë tashmë mbështetjen e BE-së nëpërmjet Fondit të Inovacionit për kapjen dhe ruajtjen e 4.5 milionë tonëve dioksid karboni në total. Gjithashtu, edhe Italia ka shprehur interes për transferimin e karbonit në Prinos nga viti 2030, si pjesë e Planit të saj Kombëtar të Energjisë dhe Klimës.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.