BE, ndalim produkteve nga puna e detyruar – Nuk do të importohen në 27 vendet anëtare
Produktet e bëra me punë të detyruar nuk do të lejohen të importohen në 27 vendet anëtare të Bashkimit Europian, sipas një drafti të parë nga agjencia e lajmeve Reuters. Vendimi do të merret pasi BE është e shqetësuar për situatën e të drejtave të njeriut në provincën kineze të Xinjiang.
Ekzekutivi i BE-së, i cili do të shpallë propozimin e tij këtë javë, do të duhet të diskutojë detajet me ligjvënësit dhe vendet e BE-së përpara se rregullat të bëhen ligj.
Sipas dokumentit ndalimi duhet të zbatohet për produktet për të cilat është përdorur puna e detyruar në çdo fazë të prodhimit, korrjes dhe nxjerrjes së tyre, duke përfshirë punën ose përpunimin që lidhet me produktet. Ndalimi duhet të zbatohet për të gjitha produktet, të çdo lloji, duke përfshirë përbërësit e tyre, dhe duhet të zbatohet për produktet pavarësisht nga sektori, origjina, nëse ato janë vendase apo të importuara.
Rregullat synojnë operatorë më të mëdhenj ekonomikë si importuesit, prodhuesit dhe furnizuesit e produkteve, sepse rreziqet e punës së detyruar janë më të përhapura dhe ndikimi ka të ngjarë të jetë më i madh sipas Reuters.
Megjithatë, përgjegjësia u takon autoriteteve kombëtare të konfirmojnë nëse puna e detyruar është përfshirë në prodhimin dhe përpunimin e produkteve, ndërkohë që hetimet paraprake duhet të përfundojnë brenda 30 ditësh.
Më pas ata mund të kërkojnë nga organet doganore që të bllokojnë qarkullimin e produkteve ose t’i tërheqin ato nga tregu.
Ndërkohë do të krijohet një bazë të dhënash për rrezikun e punës së detyruar në zona specifike gjeografike ose produkte specifike të bëra me punë të detyruar të imponuar nga autoritetet shtetërore dhe do të vihet në dispozicion të publikut.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës miratuan një ligj vitin e kaluar, Aktin e Parandalimit të Punës së Detyrueshme Ujgure (UFLPA), për të mbrojtur tregun e tyre nga produktet e ndotura potencialisht nga abuzimet e të drejtave të njeriut në Xinjiang, ku qeveria amerikane thotë se Kina po kryen gjenocid kundër myslimanëve ujgurë.
Kina mohon abuzimet në Xinjiang, një prodhues i madh pambuku që gjithashtu furnizon shumë nga materialet në botë për panelet diellore dhe thotë se ligji “shpif” për situatën e të drejtave të njeriut në vend.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.