Bizneset greke synojnë energjinë dhe turizmin – Forumi i biznesit/ “Shqipëria ka potencial të lartë për investime”
Elisabeta Dosku/SCAN
Sipërmarrjet greke kanë interes të lartë në zgjerimin e bizneseve të tyre në Shqipëri, kryesisht në fusha si ushqimi, ndërtimi, turizmi apo energjia. Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë dhe Athinë kanë organizuar forumin e biznesit në Tiranë, duke bërë bashkë sipërmarrës të të dy vendeve, për të krijuar ura bashkëpunimi mes tyre.
Nikolin Jaka, Kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë: “U bëj thirrje sipërmarrjeve greke që ta shohin sipërmarrjen shqiptare si një partner të suksesshëm, serioz dhe të qëndrueshëm dhe të krijojnë kontrata të përbashkëta bashkëpunimi”
Sofia Efraimoglou Kounenaki, Presidente e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë: “Ky forum është një hap i rëndësishëm në thellimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh. Shqipëria ka potenciale në sektorë si ushqimi dhe pijet, ndërtimi, turizmi, fusha në të cilat bizneset greke kanë eksperiencë të lartë. Mundësi të jashtëzakonshme ekzistojnë gjithashtu në sektorë si farmaceutika, materialet e ndërtimit dhe energjia. Një fushë me rëndësi dhe e spikatur janë startup-et dhe inovacioni”.
Një ftesë për sipërmarrjet greke që të zgjerojnë investimet e tyre në Shqipëri është bërë dhe nga Ministri i Ekonomisë, Blendi Gonxhja. Bizneseve u është dhënë mundësia të zhvillojnë takime B2B për të zbuluar mundësitë e bashkëpunimit.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.